16.3 C
New York
Wednesday, October 22, 2025

Buy now

ShBA s’i duron takimet “për shfaqje, për konsume të brendshme” me UNMIK-un, godet Gërvallën dhe Gjuriqin

- Advertisement -
“Jemi mirënjohës për këtë raport (të UNMIK-ut), që është modest, por domethënës…dhe reflekton situatën në terren (Kosovë)”.

Marko Gjuriq, Ministër i Punëve të Jashtëm të Serbisë, e duartrokiti (si më lart) raportin e radhës të çdogjashëmuajshëm të UNMIK-ut në Këshill të Sigurimit të OKB-së – mision ky që vazhdon të mbijetojë me përkrahjen (dhe, para edhe të) Federatës Ruse dhe Kinës.

46 milionë euro në vit buxhet – kryesisht rroga për një personel prej 370 vetash, UNMIK-u në Këshill të Sigurimit është kthyer në mjet zëdhënie serbe dhe ruse, i dëshiruar nga Beogradi për të mbajtur të spikatur Rezolutën 12/44, nën të cilën kornizë trajtohet Kosova në Këshill të Sigurimit, përkatësisht në Pesëshen Nukleare.

Tre prej tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bash kuar dhe Franca, kërkojnë përmbylljen përfundimtare të misionit që e ka tejkaluar veten në 2008, dhe që të ndalen raportet dhe takimet e saj, ose, së paku të mbahen takime një herë në vit, dhe prapa dyersh të mbyllura.

ShBA dje kërkoi sërish për përfundimin e saj, dhe kritikoi si Kosovën ashtu edhe Serbinë se këto takime po i shfrytëzojnë “për shfaqje” dhe po shërbehen me ato takime “për audienca të brendshme” – përkatësisht, për poena politike.

Si Gërvalla, ashtu edhe Gjuriqi, e përdorën fjalën e tyre për publicitet të brendshëm goditjeje e përballjeje – ndërsa ShBA ekzistencën e misionit të UNMIK-ut (që i shërben Serbisë) e quajti shpenzim të kotë parash amerikane.

ShBA kontribuon me-detyrë rreth 25% të fondeve të misioneve paqeruajtëse të OKB-së, përkatësisht në rastin e UNMIK-ut, kontribuon rreth 10 milionë euro. Ngjashëm UNMIK-u kontributet i merr nga Kina, rreth 19%, përkatësisht 8 milionë euro – ndërsa Federata Ruse 2-3%, në këtë rast 1 milionë euro.

  • “Kolegë, nëse jemi të përkushtuar fort ndaj kauzës së paqes, duhet të sigurohemi gjithashtu që koha dhe burimet e Këshillit të shpenzohen në mënyrë efikase, aty ku është më e nevojshme. Këto takime të shpeshta dhe për shfaqje mbi UNMIK-un janë të kota dhe e zvogëlojnë punën e rëndësishme që duhet të bëjë ky Këshill. Ky takim nuk po përparon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare; po u jep një platformë politike disa audiencave vendase. Këto takime dëmtojnë institucionin”, tha ambasadori amerikan në KS të OKB-së, Jeff Bartos.

Kundërshtinë ndaj ShBA-së e artikuloi ambasadori rus në KS të OKB-së, duke kërkuar të mos mbyllet misioni i UNMIK-ut, të mos ulet buxheti i saj dhe niveli i stafit operues. Në mbështetje të plotë të qëndrimit të Serbisë, ambasadori rus “refuzoi kategorikisht” çfarëdo ndryshimi në funksionimin e UNMIK-ut.

Por, showi për politikë të brendshëm, vazhdoi…

Ndonëse kaherë Kosovës i është kërkuar të reduktojë nivelin e pjesëmarrjes në këto mbledhi UNMIK-u, përkatësisht në nivel të një ambasadori, qeveria kosovare vazhdon ta shfrytëzojë atë për publicitet përballjeje me Serbinë, duke e dërguar nivel të lartë ministri, anipse vetëm Beogradit i intereson që UNMIK-u, dhe Rezoluta 12/44, të jenë të theksuara.

Profili i Donika Gërvallës në rrjete sociale gufoi me postime për seancën e UNMIK-ut duke paraqitur të thënat e saj në ballafaqim me Marko Gjuriqin e Serbisë, i cili shprehej ‘mirënjohës’ pë raportin e UNMIK-ut si një raport i një institucioni të mandatuar nga KS i OKB-së.

Gërvalla i përzgjodhi disa nga fjalët e mira të vendeve mbështetëse se si Kosova mbështetet si shtetësi dhe vend i pavarur në perëndimin demokratik, duke i injoruar qortimet, kritikat, dhe kërkesat si ajo e “themelimit të Asociacionit të Komnunave të banuara me shumic serbe”. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit