htetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Kina, për rivendosjen e raporteve diplomatike midis Iranit dhe Arabisë Saudite, por shprehën dyshime nëse Teherani do t’iu përmbahet zotimeve të marrëveshjes.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se “ne mirëpresim” marrëveshjen diplomatike, nëse për shembull, do të çonte në arritjen e paqes në Jemen, ku këto dy fuqi rajonale mbështesin palë të kundërta.
“Do ta shohim. Mbetet të shihet nëse iranianët do të respektojnë pjesën e tyre të marrëveshjes. Ky nuk është regjim që zakonisht mban fjalën”, tha Kirby.
“Do të donim të shihnim përfundimin e luftës në Jemen dhe kjo marrëveshje të mund të ndihmojë që të arrihet kjo”, tha ai.
I pyetur për ndërmjetësimin e Kinës, Kirby tha se Irani u ul në tavolinë të bisedimeve për shkak të “presionit” jo vetëm nga pakënaqësitë brenda vendit, por edhe nga jashtë.
“Ne sigurisht që e shohim Kinën si shtet që po mundohet të përhapë ndikim kudo në botë për interesat e saj. Por, në fund nëse kjo marrëveshje është e qëndrueshme, nuk ka rëndësi se kush e ka ndërmjetësuar apo kush është ulur në tavolinë….në fund, ne e mirëpresim atë”.
Irani dhe Arabia Saudite pas shtatë vjetësh armiqësi u pajtuan që të rihapin ambasadat dhe misionet e tyre diplomatike si dhe u zotuan se do të respektojnë disa marrëveshje të arritura në të kaluarën në shumë fusha, përfshirë atë tregtare dhe atë të sigurisë.
Arabia Saudite kishte fajësuar Iranin për sulmet me raketa dhe dronë ndaj ndërtesave të naftës më 2019, por edhe për sulmet ndaj cisternave në ujërat e Gjirit Persik. Irani ka mohuar këto akuza. /REL/