Ushtria amerikane ka lëshuar raketa parandaluese të nivelit të lartë me vlerë 500 milionë dollarë për të mbrojtur Izraelin nga sulmet e Iranit dhe armiqve të tjerë rajonalë, sipas dokumenteve të reja të Pentagonit.
Dokumentet e publikuara rishtazi mbi buxhetin japin një pasqyrë të re mbi përmasat e mbrojtjes që ushtria amerikane ka ofruar për Izraelin, si dhe armët që forcat amerikane kanë përdorur gjatë bombardimeve të mëdha të objekteve bërthamore iraniane në qershor.
Në një nga dokumentet kërkohen 498.265 milionë dollarë financim për të zëvendësuar raketat parandaluese të sistemit të mbrojtjes në lartësi të mëdha (THAAD), të cilat janë “shpenzuar në mbështetje të Izraelit”.
“Kjo është një çështje me interes të veçantë për Kongresin. Ky është një kërkesë urgjente për buxhet”, thuhet në dokument.
Ligjvënësit amerikanë duhet të miratojnë çdo ndryshim në financim, shkruan business insider.
THAAD është një sistem mbrojtjeje ajrore i prodhuar nga kompania amerikane e mbrojtjes “Lockheed Martin” dhe është projektuar për të ndjekur raketat balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme gjatë fazës përfundimtare të fluturimit. THAAD është një nga sistemet tokësore më të avancuara të mbrojtjes ajrore në përdorim nga forcat amerikane. Ka rreze të gjatë veprimi dhe është në gjendje të godasë objektiva në një distancë nga 93 deri në 124 milje, si brenda ashtu edhe jashtë atmosferës. Armët e këtij sistemi shkatërrojnë raketat armike përmes një goditjeje direkte, dhe jo me shpërthim afër objektivit.