Administrata Trump ka publikuar një Strategji të re të Sigurisë Kombëtare për Shtetet e Bashkuara, në të cilën e përshkruan Evropën si një kontinent në rënie, paralajmëron se kombet evropiane po përballen me “zhdukje qytetërimi” për shkak të migrimit dhe propozon të “kultivojë rezistencë ndaj trajektores aktuale të Evropës brenda kombeve evropiane”.
Strategjia përcakton vizionin e administratës për rolin e SHBA-së në rendin global, duke përsëritur frazën “Amerika e Para” të presidentit Donald Trump dhe duke këmbëngulur se ai është një “president i paqes, shkruan euronews.
Megjithatë, ajo akuzon gjithashtu qeveritë evropiane për “përmbysje të proceseve demokratike” dhe dënon institucionet mbikombëtare dhe shumëpalëshe – midis tyre Bashkimin Evropian – të cilat thotë se “minojnë lirinë dhe sovranitetin politik”.
Gjithashtu paralajmëron për një “qytetërim” në Evropë që rrjedh nga “politikat e migracionit që po transformojnë kontinentin dhe po krijojnë konflikte, censurë të fjalës së lirë dhe shtypje të opozitës politike, rënie të lindjeve dhe humbje të identiteteve kombëtare dhe vetëbesimit”.
Këto janë ide që administrata Trump dhe bashkëpunëtorët e saj intelektualë i kanë shtyrë fort në frontin e brendshëm.
Megjithatë, toni është jashtëzakonisht i ashpër dhe ka të ngjarë të irritojë qeveritë evropiane.
Trump dhe shumë nga të emëruarit dhe këshilltarët e tij janë ankuar për atë që ata e konsiderojnë si përpjekje për të “censuruar” zërat e krahut të djathtë, i kanë përshkruar aktivistët e krahut të majtë dhe antifashistë si terroristë dhe kanë premtuar “deportim masiv” të emigrantëve pa dokumente.
Administrata gjithashtu i ka paraqitur grupet etnike me prejardhje jo-evropiane si të rrezikshme dhe të padëshiruara në SHBA dhe ka ulur numrin e pranimeve të lejuara të refugjatëve në vit me 94%, ndërsa u ka dhënë përparësi afrikanojugorëve të bardhë për statusin e refugjatit me arsyetimin se ata janë viktima të “gjenocidit”.
Në frontin evropian, strategjia paralajmëron se “nëse trendet aktuale vazhdojnë, kontinenti do të jetë i panjohur në 20 vjet ose më pak”, një jehonë retorike nga figura dhe lëvizje të ndryshme të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në Evropë, të cilat i kanë vënë idetë kundër migracionit në qendër të politikës së tyre. /Telegrafi/






