Më shumë se 5 miliardë dollarë në eksporte armësh amerikane të destinuara për aleatët e NATO-s dhe për mbështetjen e Ukrainës janë pezulluar për shkak të bllokimit të qeverisë së SHBA-ve, sipas një vlerësimi të Departamentit të Shtetit të siguruar nga Axios.
Ky është një tjetër shembull i pasojave që po sjell bllokimi qeveritar, i cili tashmë ka hyrë në ditën e 40-të, duke shkaktuar pezullime programesh, vonesa dhe pushime nga puna në shumë institucione federale.
Sipas burimeve, ndër armët që kanë mbetur pezull janë raketat AMRAAM, sistemet e luftës Aegis dhe sistemet raketore HIMARS, të destinuara për vende si Danimarka, Kroacia dhe Polonia. Nuk është ende e qartë nëse një pjesë e këtyre armëve do të përfundojnë drejtpërdrejt në Ukrainë, por zakonisht shitjet për aleatët e NATO-s përdoren më pas për mbështetjen e Kievas.
Marrëveshjet që janë pezull përfshijnë si shitje të drejtpërdrejta të qeverisë amerikane për vendet aleate, ashtu edhe licencime për eksportin e armëve nga kompanitë private amerikane të mbrojtjes. Në kushte normale, këto procedura janë të shpejta dhe pa shumë debat.
Por Ligji për Kontrollin e Eksportit të Armëve kërkon që Kongresi të shqyrtojë çdo shitje armësh, dhe shumë punonjës të Departamentit të Shtetit që merren me informimin e komisioneve të Kongresit janë aktualisht të pezulluar nga puna, duke shkaktuar vonesë masive.
Një zyrtar i lartë ka thënë për Axios se Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake në Departamentin e Shtetit muajin e kaluar funksiononte vetëm me rreth 25% të stafit të zakonshëm.
“Demokratët po pengojnë shitjet”
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, ka thënë në një deklaratë për Axios:
Demokratët po mbajnë peng shitjet e rëndësishme të armëve, përfshirë ato për aleatët tanë të NATO-s. Kjo dëmton bazën industriale të SHBA-ve dhe rrezikon sigurinë tonë dhe të partnerëve tanë.
Edhe kryetari republikan i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senat, James Risch, shtoi:
Kina dhe Rusia nuk janë në bllokim. Ndërsa ata vazhdojnë përpjekjet për të minuar SHBA-ve dhe aleatët tanë, ne mbetemi të paralizuar. Industria jonë pëson dëme dhe ne nuk arrijmë të përmbushim nevojat e aleatëve.






