Studiuesi Agon Maliqi ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes gjigante të Departamentit amerikan të Shtetit me Serbinë për energji, për çka tha se Kosova është e zënë “në delire populliste” e me “pozicion të rrënuar drastikisht”.
Postimi i Maliqit:
Serbia sot nënshkroi marrëveshje të partneritetit strategjik me SHBA-të në fushën e energjisë, për t’u hequr nga gasi rus. Para ca kohe nënshkroi marrëveshje me Francën për blerje avionësh që e përafrojnë ushtarakisht me NATO-n. Paralelisht ia dha Evropës qasjen në minierat e litiumit të cilat i kërkonte edhe Kina.
Kosova ndërkohë jo vetëm që nuk po siguron njohje dhe investime, por e ka humbur edhe mbështetjen e atyre shteteve që i kishte në bosht, e po rrezikon të përjashtohet edhe nga mekanizmat rajonalë të ekonomisë si CEFTA apo Procesi i Berlinit.
Ndërkohë, krejt ky rrënim drastik i pozitës së Kosovës, në sytë e kuazi inteligjencës kosovare që ka mbetur në nivelet e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, dhe ka sharruar me dëshirë në lloqin e delireve populliste, vazhdon të shihet si shenjë e një strategjie gjeniale dhe lidershipi vizionar.
Të nderuar, metaforë më të mirë se ajo situata me tabelë nuk mund të ketë: X=0.