6.5 C
New York
Sunday, January 11, 2026

Buy now

ShBA-ja njofton për sulme “në shkallë të gjerë” kundër IS-it në Siri

- Advertisement -

Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate kanë kryer sulme “në shkallë të gjerë” kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), në Siri, tha ushtria amerikane, në përgjigje të sulmit të muajit të kaluar që la të vrarë tre amerikanë.

Komanda Qendrore amerikane (CENTCOM), që mbikëqyr forcat ushtarake amerikane në rajon, tha se dhjetëra sulme “shënjestruan IS-in në Siri” të shtunën.

Në postimin e CENTCOM-it në X nuk u specifikua se ku ndodhën sulmet.

Pamjet ajrore që iu bashkëngjitën njoftimit tregonin disa shpërthime të ndara, që me sa duket u kryen në zona rurale.

Sulmet ishin pjesë e një operacioni i cili nisi “si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmit vdekjeprurës të IS-it ndaj forcave amerikane dhe siriane në Palmira”, tha CENTCOM-i.

Pamjet ajrore me cilësi të ulët që shoqëronin postimin tregonin disa shpërthime të ndara, me sa duket në zona rurale.

Forcat ajrore të Jordanisë po ashtu kanë kryer sulme që kanë pasur cak IS-in, si pjesë e operacionit, tha ushtria të dielën.

Në njoftim u tha se Jordania goditi “një numër caqesh… në disa zona brenda territorit të Sirisë”.

Dy ushtar amerikan dhe një përkthyes civil amerikan u vranë më 13 dhjetor pasi një sulmues – që Uashingtoni e ka përshkruar si militant të IS-it – i zuri në pritë në Palmira, vend që dikur kontrollohej nga IS-i.

Ministria e Brendshme e Sirisë më pas tha se sulmuesi ishte anëtar i forcave të sigurisë, ndaj të cilit kishte nisur procedurat për shkarkim për shkak të ekstremizmit.

“Ne nuk do të harrojmë kurrë”, tha shefi i mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në X, duke ripublikuar deklaratën e CENTCOM-it.

SHBA-ja dhe Jordania kryen një sërë sulmesh muajin e kaluar në përgjigje të sulmit në Palmira, kishte deklaruar CENTCOM në atë kohë.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – monitorues i luftës – më pas kishte deklaruar se nga sulmet amerikane ishin vrarë të paktën pesë anëtarë të IS-it, përfshirë udhëheqësin e një celule.

Më 3 janar, Britania dhe Franca njoftuan për sulme të përbashkëta që kishin në shënjestër një objekt nëntokësor, për të cilin thanë se IS-i ka gjasa ta ketë përdorur për ruajtjen e armëve.

Në vitin 2014, IS-i kishte pushtuar zona të mëdha të territorit të Sirisë dhe Irakut. Xhihadistët u mposhtën nga forcat tokësore lokale, të mbështetura nga sulmet ajrore ndërkombëtare, por grupi ende ka prani në Siri.

Presidenti amerikan, Donald Trump, që një kohë të gjatë ka qenë skeptik ndaj pranisë së Uashingtonit në Siri. Gjatë mandatit të parë presidencial, ai urdhëroi tërheqjen e trupave, por në fund forcat amerikane mbetën në Siri.

Pentagoni njoftoi në prill se SHBA-ja do ta përgjysmojë numrin e personelit amerikan në Siri në muajt pasues, teksa i dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, tha në qershor të vitit 2025 se Uashingtoni në fund do t’i reduktojë bazat e tij në këtë shtet në vetëm një bazë./REL/

Të ngjashme

Të fundit