Shtetet e Bashkuara të premten njoftuan një pako të ndihmave ushtarake për Tajvanin me vlerë deri në 345 milionë dollarë, veprim që pritet ta zemërojë Kinën, edhe pse administrate e presidentit Biden të ShBA-së refuzoi që të ofronte publikisht hollësi për armët e përfshira në këtë pako.
Javëve të fundit, katër burime i thanë agjencisë “Reuters” se në këtë pako pritet të përfshihen katër drona zbulimi të tipit MQ-9A, por theksuan se përfshirja e tyre mund të dështojë, sepse zyrtarët ishin duke punuar për hollësitë e largimit të disa pajisjeve të avancuara nga dronët, në të cilat mund të ketë qasje vetëm Forca Ajrore e ShBA-së.
Në njoftimin zyrtar nuk u paraqit ndonjë listë e sistemeve të armëve që do t’i dhurohen Tajvanit.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit i falënderoi Shtetet e Bashkuara “për zotimin e fortë për siguri”, duke shtuar në një deklaratë se nuk do t’i komentojë hollësitë e pakos së armëve për shkak të një “marrëveshjeje të heshtur” mes dy palëve.
Tajvani më parë ishte pajtuar që të blinte katër dronë më të avancuar të tipit “MQ-9B SeaGuardian”, të cilët pritet t’i dërgohen ishullit më 2025.
Kina e cilëson Tajvanin si territor të saj dhe e ka shtuar presionin ushtarak ndaj ishullit gjatë tri viteve të fundit. Pekini kurrë nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta vënë Tajvanin nën kontroll. Në anën tjetër, Tajvani i kundërshton fuqishëm pretendimet kineze për sovranitet ndaj këtij vendi, duke thënë se vetëm populli tajvanez mund të vendosë për të ardhmen e tyre.
Më herët këtë muaj, komandanti i ushtrisë amerikane, Gjeneral Mark Milley, tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet ta përshpejtojnë dërgimin e armëve në Tajvan viteve të ardhshme për ta ndihmuar ishullin që ta mbrojë veten.