19 C
New York
Friday, August 8, 2025

Buy now

ShBA-ja i propozon Libanit çarmatosjen e Hezbollahut deri në fund të vitit

- Advertisement -

Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Libanit një plan për çarmatosjen e plotë të Hezbollahut deri më 31 dhjetor 2025, si dhe një plan për përfundimin e operacioneve ushtarake izraelite dhe tërheqjen e trupave të Izraelit nga pesë pika në jug të Libanit.

Plani, i dorëzuar nga i dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Tom Barrack, po shqyrtohet në një mbledhje të qeverisë libaneze këtë të enjte, 7 gusht. Ai përshkruan hapat më të detajuar deri më tani për çarmatosjen e grupit të mbështetur nga Irani, Hezbollah, i cili ka refuzuar thirrjet në rritje për t’u çarmatosur pas luftës shkatërruese me Izraelin vitin e kaluar.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi këtë çështje, ndërsa as zyrtarët e qeverisë libaneze dhe as përfaqësuesit e Hezbollahut nuk janë prononcuar deri tani.

Luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut u përshkallëzuan në tetor të vitit 2023, kur grupi libanez nisi sulme ndaj pozicioneve izraelite në kufi, duke shpallur mbështetje për Hamasin në luftën e Gazës. Gjatë ofensivës, Izraeli i shkaktoi humbje të mëdha Hezbollahut.

Propozimi amerikan synon të “zgjerojë dhe stabilizojë” një armëpushim të ndërmjetësuar në nëntor mes Libanit dhe Izraelit. “Urgjenca e këtij propozimi theksohet nga rritja e ankesave për shkeljet izraelite të armëpushimit aktual, përfshirë sulme ajrore dhe operacione përtej kufirit, të cilat rrezikojnë të shembin status quo-në e brishtë”, thuhet në dokument.

Katër fazat e planit amerikan:

Faza e parë: Brenda 15 ditësh, qeveria libaneze duhet të nxjerrë një dekret që angazhohet për çarmatosjen e plotë të Hezbollahut deri në fund të vitit 2025. Gjatë kësaj faze, Izraeli do të ndalë të gjitha operacionet ushtarake tokësore, ajrore dhe detare ndaj Libanit.

Faza e dytë: Brenda 60 ditësh nga miratimi i dekretit, Libani duhet të nisë zbatimin e planit të çarmatosjes, duke miratuar edhe një plan të detajuar të vendosjes së ushtrisë libaneze për të marrë kontrollin e të gjitha armëve. Paralelisht, Izraeli do të nisë tërheqjen nga disa prej pozicioneve që mban në jug të Libanit, ndërsa të burgosurit libanezë në burgjet izraelite do të lirohen në koordinim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC).

Faza e tretë: Brenda 90 ditësh, Izraeli do të tërhiqet edhe nga dy pozicionet e fundit në jug të Libanit. Po ashtu, do të sigurohen fonde për pastrimin e rrënojave dhe rikonstruksionin e infrastrukturës.

Faza e katërt: Brenda 120 ditësh, Hezbollah duhet të dorëzojë të gjitha armët e rënda që ka në zotërim, përfshirë raketat dhe dronët. Në këtë fazë, Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite, Franca, Katari dhe shtete të tjera aleate do të organizojnë një konferencë ekonomike për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të Libanit dhe për të “zbatuar vizionin e Presidentit Trump për kthimin e Libanit në një vend të begatë dhe të qëndrueshëm”.

Të ngjashme

Të fundit