Shtetet e Bashkuara njoftuan se i kanë ndarë Ukrainës 20 miliardë dollarë hua, në kuadër të një pakete të mbështetjes prej 50 miliardë dollarësh, për të cilën grupi i vendeve më të industrializuara, G7, ka rënë dakord në verë.
Administrata e presidentit aktual, Joe Biden, ka premtuar se do ta ndajë kredinë përpara fundit të vitit, për shkak të shqetësimeve se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, mund ta ndalë mbështetjen e SHBA-së për vendin në luftë.
Trump, i cili do ta marrë detyrën më 20 janar, ka kritikuar vazhdimisht ndihmat e SHBA-së për të, por ka thënë, gjithashtu, se do të mbështeste një program të huadhënies.
Ukraina është shumë e varur nga ndihma ushtarake dhe financiare e SHBA-së dhe Evropës, në luftën e saj kundër pushtimit rus, që ka hyrë tashmë në vitin e tretë.
Një paketë e ndihmës e SHBA-së, në vlerë prej 61 miliardë dollarësh, ka kaluar në prill, por ka të ngjarë që ajo të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm.