12.8 C
New York
Thursday, October 30, 2025

Buy now

ShBA-ja e goditi fuqishëm me sanksione – sa mund ta përballojë Rusia?

- Advertisement -

Ekonomia ruse është pranë skajit të recesionit, megjithatë lufta mund të zgjasë për vite. Financimi i saj duket se nuk ka pengesa të mëdha të menjëhershme, sipas ekspertëve.

Rusia po përballet me një valë të re sanksionesh nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ndërsa ekonomia e saj e brendshme po i afrohet recesionit, por të gjitha këto nuk janë të mjaftueshme për të kufizuar aftësinë për të financuar luftën në Ukrainë, sipas ekspertëve.

“Recesioni sot pothuajse nuk ka asnjë rëndësi për stabilitetin ekonomik dhe politik të Rusisë”, tha Vladislav Inozemtsev, bashkëthemelues dhe anëtar i Këshillit Këshillimor të Qendrës për Analiza dhe Strategji në Europë (CASE), institut i pavarur i hulumtimit me bazë në Bashkimin Evropian.

Një vështrim brenda ekonomisë ruse

Pavarësisht se po mbështetet nga shpenzimet ushtarake, ekonomia ruse po tregon shenja të rrëshqitjes drejt recesionit ose stagflacionit.

Inflacioni mbetet i lartë dhe shoqërohet me një ngadalësim të fortë ekonomik. Inflacioni arriti kulmin në 10.3 për qind në muajin mars dhe u ul në 8 për qind në muajin shtator, ende dyfish i objektivit prej 4 për qind të Bankës së Rusisë, raporton euronews.

Megjithatë, banka qendrore ka ulur në mënyrë agresive normën e saj bazë, më së fundi më 24 tetor, duke e ulur për 50 pikë bazë në 16.5 për qind – ulja e katërt radhazi dhe një surprizë për tregjet që prisnin një ndalim.

Normat e larta të interesit dhe mungesa e theksuar e fuqisë punëtore (me shkallën e papunësisë në 2.1 për qind) kanë kufizuar rritjen. Ekonomia u zgjerua me 1.4 për qind nga viti në vit në tremujorin e parë të 2025 dhe 1.1 për qind në tremujorin e dytë, nga 4.1 për qind rritje vjetore në të dy vitet 2023 dhe 2024.

Sentimenti i biznesit gjithashtu është dobësuar. Indeksi S&P Global Russia Composite PMI ra në 46.6 në shtator, nga 49.1 në gusht, duke shënuar muajin e katërt radhazi të tkurrjes në sektorin privat dhe nivelin më të ulët që nga tetori 2022, me ndikim si në prodhim ashtu edhe në shërbime.

Sipas Oxford Economics, ekonomia ruse nuk ka qenë në recesion (e përcaktuar si dy tremujorë radhazi tkurrje). Por, ekonomistët e firmës globale këshilluese ekonomike i thanë Euronews Business se ata presin që rritja në tremujorin e tretë të jetë sa 0.2 për qind tremujor në tremujor.

“Ne presim nivele të ngjashme rritjeje në afatin e shkurtër, por është e mundur që sanksionet e fundit ndaj naftës të shtyjnë ekonominë drejt recesionit”, shtuan analistët, transmeton Telegrafi.

Vladislav Inozemtsev nga CASE i tha Euronews “Sentimenti i biznesit është, në përgjithësi, i zymtë… Sipërmarrësit presin përkeqësim të kushteve të përgjithshme, ngërç ekonomik, ulje të kërkesës së konsumatorëve dhe rritje të taksave”.

Ekonomisti parashikon një recesion të moderuar që do të godasë ekonominë ruse në muajt e ardhshëm, duke përfunduar me rritje vjetore të qëndrueshme për 2025 dhe “një tkurrje midis 1 për qind dhe 1.4 për qind në 2026”.

Ekonomia ruse është përshtatur me luftën dhe mbetet në një gjendje balancimi, sipas një raporti të fundit të Qendrës për Analiza dhe Strategji në Europë (CASE). Raporti parashikon një periudhë të gjatë stagnimi politik dhe ekonomik në Rusi, pa shumë zhvillim apo prosperitet gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

A funksionojnë sanksionet?

Në tetor të vitit 2025, si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Moskës, duke shtuar një listë të gjatë kufizimesh që janë zbatuar gradualisht që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

SHBA-ja sanksionoi direkt dy kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi, Rosneft dhe Lukoil, si dhe kompanitë e tyre bashkëpunuese.

Vendet e BE-së miratuan paketën e 19-të të sanksioneve, duke përfshirë një ndalim të plotë të gazit natyror të lëngshëm rus (LNG) duke filluar nga viti 2027 dhe ndalimin e importeve të naftës dhe gazit nga Rosneft dhe Gazprom Neft në BE. Blloku gjithashtu ka miratuar sanksione të reja për të ndaluar Rusinë të shmangë kufizimet e mëparshme, duke penguar investimet në vend dhe duke ndaluar që ajo të marrë disa shërbime financiare dhe infrastrukturore. Kjo shoqërohet me një ndalim të tregtisë me materiale kritike që mbështesin luftën.

Sipas BE-së, këto masa “rritën në mënyrë të konsiderueshme presionin mbi ekonominë e luftës së Rusisë”.

Nga perspektiva e Kremlinit, masat e reja më të rrepta nuk do të kenë ndikim mbi ekonominë ruse dhe strategjinë e saj ushtarake në Ukrainë.

Analistët thonë se Rusia është një objektiv veçanërisht i vështirë, duke pasur parasysh eksportin e shumë mallrave kyç, përfshirë naftën dhe gazin, plehrat, grurin dhe metale të çmuara. Dhe Rusia ka gjetur mënyra për të shmangur sanksionet dhe kufizimet, përfshirë tregtinë përmes një “flote të errët” të tankerëve të naftës dhe rritjen e eksporteve drejt Kinës dhe Indisë.

Ndërkohë, ekspertët e vënë në pikëpyetje nëse sanksionet do të ndalojnë përpjekjet ushtarake të Rusisë, edhe nëse ato shtyjnë ekonominë e vendit drejt recesionit.

Pa dyshim, sanksionet kanë një ndikim mbi të ardhurat energjetike të Rusisë. Por, produktet e energjisë, megjithëse “të rëndësishme për tregun e brendshëm dhe në mënyrë të kufizuar për eksportin, nuk janë një burim i madh të ardhurash për buxhetin që të vazhdojë luftën”, tha Elina Ribakova, studiuese jo-rezident në “think tank” me bazë në Bruksel, Bruegel.

Të dhënat e CASE konfirmojnë se varësia e buxhetit federal nga nafta dhe gazi ka rënë ndjeshëm. Pjesa e tyre në të ardhurat totale ra nga mbi 50 për qind në periudhën 2011–2014 në vetëm 25 për qind deri në mes të vitit 2025.

Sulmet me dronë ukrainas mbi rafineritë ruse të naftës nuk po kanë një ndikim të madh mbi volumin e eksporteve, tha Inozemtsev, duke shtuar se “Rusia shet si naftë të papërpunuar ashtu edhe të përpunuar. Nëse një rafineri shpërthen, pjesa e naftës së papërpunuar thjesht rritet, sepse dërgohet në portet pa u përpunuar”.

Të ardhurat e Rusisë nga prodhimi i hidrokarbureve po vazhdojnë të ulen për shkak të rënies së çmimeve. Analistët e Oxford Economics shtuan se në muajin shtator, buxheti mori 582.5 miliardë rubla (përkatësisht 6.3 miliardë euro) nga të ardhurat e hidrokarbureve, 25 për qind më pak se në të njëjtin muaj të vitit 2024.

“Këto sanksione nuk kanë shumë rëndësi. Putini nuk paguan për luftën e tij me dollarët ose juanët që merr nga eksportet. Ai paguan punonjësit dhe ushtarët me rubla, të cilat Banka e tij Qendrore mund t’i printojë ose që shërbimi i tij tatimor mbledh nga bizneset ruse, duke u rritur me 13.2 për qind në vit në tetor”, tha ekonomisti.

Në periudhën afatgjate, ulja e blerjeve nga India dhe Kina kërcënon të ulet të ardhurat kyçe, por edhe nëse eksportet e naftës ruse drejt të dy vendeve ulen për një të tretën, “ushtria nuk do ta ndjejë këtë për të paktën një vit (dhe më shumë gjasa për një periudhë më të gjatë),” tha ekonomisti.

Ekspertët e Oxford Economics ranë dakord, duke shtuar “Lufta mund të zgjasë për vite. Rusia ende ka para në fondin sovran (5.9 për qind e PBB-së në total në shtator, përfshirë 1.9 për qind të PBB-së në pasuri likuide)”.

Një burim kryesor të ardhurash për të financuar deficitin e buxhetit, i cili pritet të jetë 2.6 për qind e PBB-së, është huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm. Sipas raportit të CASE, borxhi kombëtar i Rusisë ndaj PBB-së pritet të jetë 17.7 për qind deri në fund të vitit 2025, duke kontribuar në perspektivën e qëndrueshme fiskale të vendit.

“Sipas Oxford Economics, qeveria do të jetë në gjendje të financojë luftën për aq kohë sa deficiti është i menaxhueshëm dhe mund të mbulohet pjesërisht nga fondi sovran dhe pjesërisht nga huamarrja në tregun e obligacioneve të brendshme”, shkruan më tutje.

Inozemtsev shtoi se depozitat private në bankat ruse janë të mjaftueshme, “tani pesë herë më shumë se buxheti i tërë ushtarak për 2025”.

“Pra, unë do të sugjeroja që askush të mos mashtrohet, duke shpresuar se ulja e eksporteve ruse do të dobësojë shpejt aftësinë e Putinit për të luftuar. Mund të kthehemi tek kjo çështje diku në fund të vitit 2027, por jo më herët”, përfundoi Inozemtsev.

Dhe mbetet për t’u parë nëse eksportet do të bien vërtet. “Në shumicën e rasteve, Rusia do të vazhdojë të eksportojë naftë, por me një zbritje më të madhe dhe përmes më shumë ndërmjetësve për të fshehur burimin e naftës,” tha Ribakova dhe shtoi se “në rastin e Kinës, është pothuajse e pamundur të monitorohen transaksionet midis Rusisë dhe Kinës”.

Të ngjashme

Të fundit