Departamenti i Shtetit i SHBA-ve ka futur në listë të zezë Artan Grubin, ish-zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, dhe Enver Bexhetin, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut, për përfshirjen e tyre në korrupsion dhe minimin e procesit gjyqësor.
Përveç Grubit, në listën e zezë janë futur edhe anëtarët e familjes së tij.
“Sipas Seksionit 7031(c), Departamenti i Shtetit po i cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të rëndë duke pranuar ryshfete për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, drejtor i Administratës për Siguri dhe Kundërinteligjencë të Maqedonisë së Veriut (UBK). Mijalkov u emërua në vitin 2022 për korrupsion të rëndë sipas Seksionit 7031(c), dhe OFAC e sanksionoi atë në përputhje me E.O. 14033. Si pjesë e këtij veprimi, edhe anëtarët e familjes së drejtpërdrejtë të Grubit janë emëruar nën sanksione.” – thuhet në njoftim.