Tashmë kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës në veri janë të qarta. Plani 3 pikësh i BE-së, që përfshin ushtrimin e funksionëve të katër kryetarëve në veri nga objekte paralele, largimin e njësiteve special dhe zgjedhje të reja për veriun, është vendosur si meta-plani i pakapërcyeshëm dhe, me shumë gjasë, i paalternativë.
Hiç më larg se dje, Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, iu bë e qartë vlefshmëria e planit të BE-së nga dy njerëz jashtëzakonisht të fuqishëm në politikën ndërkombëtare. Dy sekretarë, njëri amerikan e tjetri britanik, i ritheksuan kërkesat e BE-së për depërshkallëzimin e situatës në veri.
Amerikani dhe britaniku
Përkundër që Kurti propozoi një plan pesë pikësh për shtensionimin e situatës, duket se ai as që është më bazë për diskutim në kancelaritë e botës. Së fundmi, kjo u konfirmua indirekt edhe nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
Dje Blinken bisedoi me kryeministrin Kurti rreth zhvillimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht për nevojën e shtensionimit të situatës.
“Sot fola me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, për të bërë thirrje për de-eskalim në veriun e Kosovës dhe për kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara.” – ka thënë Blinken.
Kurti dje u takua edhe me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly. Me të cilin natyrshëm diskutoi rreth situatës në veri të Kosovës. Foreign Office, pra Ministria e Jashtme e MB-së, lëshoi një njoftim për këtë takim, ku u ritheksuan kërkesat e BE-së dhe nevoja për për shtensionim të situatës në veri, duke i kërkuar Kurtit të bëjë hapa drejt arritjes së de-eskalimit të gjendjes në këtë pjesë të Kosovës.
Edhe në këtë takim, Kurti u përball me kërkesat e njëjta: ushtrimin e detyrave të kryetarëve në objekte alternative komunale, tërheqja e forcave speciale nga objektet komunale dhe ndërmarrja e hapave drejt zgjedhjeve të reja dhe gjithëpërfshirëse në veri.
“Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar në të ardhmen e saj si shtet i pavarur, multietnik në një regjion të qëndrueshëm dhe prosperues.” – theskoi sekretari britanik në takimin me Kurtin.
Tutje, siç njoftohet në nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuara, sekretari Cleverly ia ka bërë të qartë Kurtit se tensionet i vënë në pikëpyetje arritjen e Kosovës.
Tre pikëshi i Borrellit
Ndryshe kohë më parë Josep Borrell, shef i diplomacisë së BE-së i kishte dërguar një letër Kurtit, duke ia rënditur hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë për të shtensionuar situatën në veri. Në hapin e parë, sipas Borrellit, parashihet kryerja e funskioneve të kryetarëve në objekte alternative.
“Si hap i parë, katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës duhet të përkohësisht të punojnë nga lokacione tjera e që nuk janë ndërtesat e komunave. Kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit aktualisht e kanë përfillur kërkesën. Ne besojmë që edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë tuaj, të ndjekin këtë kërkesë.” – shkruhej në letrën e Borrell.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së i rënditi edhe dy hapa të tjerë, ku përfshihej edhe tërheqja e njesiteve special të Policisë së Kosovës nga afërsia e objekteve komunale.
“Ne gjithashtu kemi kërkuar suspendimin e operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Njësia speciale e Policisë duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona. Pas shtensionimit të situatës ne jemi të gatshëm të diskutojmë aranzhimet e sigurisë me KFOR-in në katër komunat.
Ne gjithashtu kemi kërkuar për zgjedhje të parakohshme sa më shpejtë që është e mundur në katër komunat veriore, dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe ia kemi bërë të qartë këtë kërkesë presidentit serb, Vuçiq. Bazuar në legjislacionin e Kosovës, janë disa mënyra për mbajtjen e zgjedhje të reja.” – shkruhej në letrën e Borrellit.