Hiç më larg se dje, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier e bëri të qartë se vendi i tij pret nga Kosova themelimin e Asociacionit gjatë vitit 2024. Në një video të publikuar në platformën “X”, Hovenieri tregoi se Kosova duhet të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit vitin e ardhshëm
“Në vitin 2024, shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë, duke përfshirë Serbinë qe ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa të dy vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbartimi i marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit paraqet hap të madh drejt asaj të ardhmeje” – deklaroi Hovenieri.
Pak a shumë, në të njëjtën linjë është edhe BE-ja. Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, deklaroi se drafti i Asociacionit është i detajuar dhe i gjerë, duke shtuar se nevojiten hapa shtesë nga pala kosovare për themelimin e tij.
“Jemi duke diskutuar çështjen e formalizimit shtesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj me Qeverinë e Kosovës. Paralelisht, ishim nikoqirë të ekspertëve ligjorë serbë në Bruksel për të diskutuar aspekte të ndryshme të dokumentit. Kjo është legjitime pasi që ky draft është i detajuar dhe i gjerë. Por të mos harrojmë se pranimi i tekstit të Statutit është vetëm një element i procesit dhe nevojiten hapa shtesë nga pala kosovare për themelimin e Asociacionit.” – deklaroi Lajçak në një intervistë për Expressin ditë më parë.
Edhe një shtet i fuqishëm i BE-së e përmendi themelimin e Asociacionit ditë më parë. Në një intervistë, Jorn Rohde, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, e ritheksoi kërkesën ndërkombëtare për zbatimin e marrëveshjeve të arritur. Ambasadori gjerman shtoi se aleatët e Kosovës presin themelimin e Asociacionit.
“Kjo është ajo që BE-ja, Gjermania dhe të gjithë partnerët e afërt të Kosovës presin nga ajo. Obligimi i Kosovës nga viti 2015 është themelimi I Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe pjesë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit për Kosovën e pjesa kryesore është themelimi i Asociacionit. Siç e kemi thënë sapo ka nisur dhe gjithashtu edhe pala tjetër, Serbia, duhet të bëjë detyrat e saj” – deklaroi javë më parë Rohde.
Një gjë është e sigurit, Asociacioni është në pozitën e parë për nga gjasat për të qenë kryetema e vitit të ardhshëm.