Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri do të ndikojën në partneritetin mes dy shteteve si dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme të drejtuar nga Xhelal Sveçla.
Në komunikatën e publikuar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në katër komunat veriore, ShBA qorton ashpër Qeverinë e Kosovës.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.” – thuhet në komunikatë.
ShBA ka përsëritur se bashkë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.
“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë. Ashtu siç kemi theksuar më parë, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë.” – shkruan mes tjerash.