Dialogu dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe duken se nuk kanë “vdekur” as pas sulmit terrorist mbi Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit.
Çfarë ndodhi?
I dërguar special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se dialogu nuk ka vdekur, as pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Ai qartëoi se e ardhmja evropiane e dy vendeve varet nga dialogu.
“Kushdo që thotë dialogu ka vdekur, thotë edhe që e ardhmja jonë evropiane ka vdekur. E thash e do ta përsëris, rruga në Evropë për Kosovën dhe Serbinë shkon përmes dialogut”, tha Miroslav Lajçaku.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në konferencën që mbajti sot në Tiranë, tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbahen Marrëveshjes së Ohrit.
Baerbock deklaroi se duhet të bëhen kompromise nga palët.
“Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë të vendosur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ajo që presim është më shumë gatishmëri për kompromis dhe kurajë për t’u bërë ballë edhe rrymave të kundërta të politikës së brendshme. Pikërisht mbi këto baza është ngritur BE”, tha ajo në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit
Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, gjatë kësaj jave tha se është e nevojshme të formohet Asociacioni Komunave Serbe.
“Mendoj se janë pikërisht ata elementë në tavolinë që i përkasin atje dhe e di që është e vështirë të përqendrohesh në to, veçanërisht kur e kemi parë krizën në ditët e fundit, por kriza nuk do të thotë që mund të injorosh atë që ke duhet të bëjmë, që është të arrihet një zgjidhje politike”, theksoi Hill.
Hill theksoi se është në interesin e SHBA-së që të vazhdojë gjetja e një zgjidhjeje politike “të bazuar në elemente të qarta që janë pjesë e marrëveshjes së arritur 5-6 muaj më parë”.
“Duam të shohim formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Është e drejtë të thuhet se Kurti nuk është entuziast për këtë, por mendoj se ai e kupton që është një nga elementët kyç në tavolinë, ashtu siç duhet të vazhdojmë me ndërkombëtarizimin, që nënkupton mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Këto nuk janë hapa të lehtë për palën serbe, por janë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme”, tha ai.
I pyetur për të ardhmen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe marrëveshjes nga Brukseli dhe Ohri, ambasadori amerikan thekson se, “sado i vështirë të jetë dialogu për pjesëmarrësit, ne duhet të vazhdojmë”.
Ndërsa, sot, Angelo Michele Ristuccia, komandat i KFOR-it, ka folur sërish për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku ra në krye të detyrës një polic kosovar dhe mbetën të vrarë tre terroristë. Në prononcimin e tij, Ristuccia ka theksuar se KFOR-i ka ndaluar që ngjarjet në veri të eskalonin në një situatë më të rëndë.
Tutje. ai ka ripërsëritur kërkesën që palët, pra Kosova e Serbia, të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“KFOR-i mbetet plotësisht i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij, në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim që të ruajë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. KFOR nuk kryen aktivitete të zbatimit të ligjit, që është detyrë ekskluzive e Policisë së Kosovës, e cila vepron si reaguese e parë. Këto aktivitete monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), si përgjegjës i dytë. KFOR është reaguesi i tretë. Në dritën e ngjarjeve të fundit, KFOR ka shtuar praninë dhe aktivitetet e tij në veri të Kosovës. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të gjetur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është thelbësore për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.” – tha Ristuccia.