Personeli ushtarak iranian ishte në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia duke ofruar mbështetje për sulmet me dron rusë kundër Ukrainës, thanë sot zëdhënësi i Departamentit të Shtetit , Ned Price dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Zëdhënësi i këshillit të sigurisë kombëtare, John Kirby u tha gazetarëve se Irani ka dërguar një “numër relativisht të vogël” personeli në Krime, në gadishullin e aneksuar në mënyrë të njëanshme nga Rusia në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar në 2014-n, për të ndihmuar trupat ruse në lëshimin e dronëve të prodhuar nga Irani kundër Ukrainës.
“Informacioni që kemi është se iranianët kanë vendosur staf dhe ofrojnë mbështetje teknologjike në Krime, por janë rusët ata që po bëjnë pilotimin e dronëve”, tha Kirby.
Shtetet e Bashkuara zbuluan për herë të parë këtë verë se Rusia po blinte mjete ajrore iraniane (pa pilot) për të sulmuar Ukrainën. Irani i ka mohuar pretendimet që i ka shitur municionet e saj Rusisë.
“Teherani tani është i përfshirë drejtpërdrejt në front dhe me furnizimin e armëve që godasin civilët dhe instalimet civile në Ukrainë”, shtoi ai.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se “Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë me të gjitha mjetet të zbulojnë, parandalojnë dhe kundërshtojnë furnizimin me armë iraniane kundër popullit ukrainas”.