-8.2 C
New York
Wednesday, January 22, 2025

Buy now

ShBA e BE duan zbatim të menjëhershëm të marrëveshjeve

- Advertisement -

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka thënë se do të shikojnë nga afër zbatimin e marrëveshjeve, teksa ai ka njoftuar ministrat e BE-së për marrëveshjen e 18 marsit në Ohër.

Zbatim të menjëhershëm të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka kërkuar faktori ndërkombëtar.

Një kërkesë të tillë, ata e kanë bërë pak ditë pas pajtimit të radhës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arritur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këtë marrëveshje e ka vlerësuar si historike, duke thënë se për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja shteteve, duhet të nisë menjëherë zbatimi i saj.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobar ka thënë të hënën se pajtimi i arritur më 18 mars është marrëveshje në të gjitha aspektet dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

Zyrtari i lartë amerikan ka thënë se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, derisa sipas tij, Serbia duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje.”, tha Gabriel Escobar – Emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se marrëveshja e arritur në Ohër konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Për këtë marrëveshje, ai të hënën ka njoftuar ministrat e BE-së, duke thënë se do ta shohin nga afër zbatimin e saj.

“Kishim diskutime të gjata, dhe më në fund kemi një marrëveshje, e cila do të konsiderohet si pjesë integrale e rrugës evropiane për të dyja vendet. BE-ja do të jetë pjesë e kapitujve të negociatave me Serbinë, kapitulli 35, dhe do të përfshihet në dokumentet e normalizimit dhe kërkesat për Kosovën. Pra, tani është diçka përpiluese dhe ne do të duhet të shikojmë nga afër zbatimin, të dyja palët ranë dakord dhe u angazhuan për ta bërë atë. Pra, le të shikojmë me kujdes se si do të ndodhë.”, tha Josep Borrell, shef i diplomacisë evropiane.

Brenda pak javëve, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje, njërën më 27 shkurt në Bruksel dhe tjetrën më 18 mars në Ohër.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit