Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord t’i dorëzojnë Ukrainës pesë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, tha të hënën ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius.
Duke folur gjatë Grupit të 29-të të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, Pistorius tha se arriti marrëveshjen me Sekretarin e Mbrojtjes të ShBA-së, Pete Hegseth, gjatë një udhëtimi të kohëve të fundit në Uashington.
Ky njoftim vjen ndërsa Rusia po intensifikon fushatën e saj të sulmeve me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, duke përfshirë përdorimin e raketave balistike që vetëm sistemi Patriot mund t’i rrëzojë, shkruan Euronews.com.
Gjatë natës së të hënës, sulmet ajrore ruse goditën kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, duke vrarë një person dhe duke plagosur të paktën gjashtë, sipas autoriteteve.
Njoftimi nga Pistorius vjen gjithashtu pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha më 11 korrik se Uashingtoni do të dërgonte armë, përfshirë Patriotët, në Ukrainë nëpërmjet NATO-s, duke shënuar një kthesë të mprehtë prej 180 gradësh pas një pauze të shkurtër në dërgesat e armëve nga Pentagoni.