2 C
New York
Tuesday, December 2, 2025

Buy now

ShBA dhe Britania e Madhe “bien dakord” për zero tarifa mbi produktet farmaceutike

- Advertisement -

SHBA ka rënë dakord të përjashtojë Britaninë e Madhe nga tarifat e kërcënuara tregtare për produktet farmaceutike. Njoftimi u bë pas muajsh pasigurie mbi mundësinë që eksportet nga Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera europiane të përballeshin me tarifa të larta.

Me këtë marrëveshje, Britania e Madhe bëhet i vetmi vend në botë që siguron tarifë 0% për produktet farmaceutike të eksportuara në SHBA. Tarifat janë taksa të vendosura mbi mallrat që hyjnë në një vend.

Në këmbim, Britania ka rënë dakord të rrisë pragun bazë që përdoret për të vlerësuar nëse barnat mund të përdoren nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS). Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin (NICE) do ta rrisë këtë prag me 25%, nga 20,000–30,000 £ në 25,000–35,000 £.

Sipas qeverisë britanike, kjo nënkupton se NICE do të jetë në gjendje të miratojë më shumë barna që sjellin përmirësime të mëdha shëndetësore, të cilat më parë mund të ishin refuzuar për arsye të kostos. Kjo mund të përfshijë trajtime të reja kundër kancerit, terapi për sëmundje të rralla dhe qasje inovative për kushte që prej kohësh kanë qenë të vështira për t’u trajtuar.

Shoqata e Industrisë Farmaceutike Britanike (ABPI) vuri në dukje se ky prag nuk ishte rritur për më shumë se 20 vjet, ndërsa shtoi se kjo reformë do t’i japë mundësi NICE të aprovojë më shumë barna të reja, duke u sjellë përfitime një numri më të madh pacientësh.

Në një deklaratë zyrtare, qeveria amerikane tha se Britania do të “përmbysë trendin dhjetëvjeçar të uljes së shpenzimeve të NHS për barna inovative dhe shpëtimtare, dhe do të rrisë çmimin neto që paguan për barnat e reja me 25%”.

Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, tha se SHBA “do të punojë për të siguruar që qytetarët britanikë të kenë akses në risitë më të fundit farmaceutike”.

Të ngjashme

Të fundit