26.5 C
New York
Saturday, July 12, 2025

Buy now

ShBA, dështon votimi për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve

Raunde të tjera votimesh pritet të mbahen në të ardhmen, ndërsa ligjvënësi Jordan po punon të sigurojë mbështetje më të madhe për të zëvendësuar kryetarin e shkarkuar me votim, Kevin McCarthy, dhe për të marrë kështu, si përfaqësues i krahut më konservator të Partisë Republikane, një post qendror në hierarkinë e Shteteve të Bashkuara.

Por, pas gati dy javësh përplasjesh të brendshme në radhët e republikanëve që nga momenti i shkarkimit me votim të zotit McCarthy nga ligjvënësit më konservatorë, votimi në Dhomën e Përfaqësuesve nuk solli një zgjidhje për postin e kryetarit. Rreth 20 ligjvënës republikanë vazhduan të refuzojnë t’i japin votën e tyre ligjvënësit Jordan nga shteti i Ohajos, të cilin e konsiderojnë me pikëpamje më ekstreme se ç’duhet për postin e fuqishëm të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, i dyti për nga hierarkia e kalimit të pushtetit presidencial.

Ligjvënësit që refuzuan kanë një përqasje përgjithësisht pragmatiste. Në radhët e tyre ka anëtarë të hershëm të legjislaturës, apo kryetarë komisionesh që kanë shqetësimet e tyre për qeverisjen, si dhe deri tek ligjvënës të rinj nga distriktet ku votuesit e tyre preferojnë Presidentin Joe Biden përkundër ish-Presidentit Donald Trump.

Për të marrë këtë post të lartë, ligjvënësit Jordan i duhet të fitojë mbështetjen e pothuajse shumicës së plotë të kolegëve të tij republikanë gjatë votimit në plenare, ndërsa demokratët qëndrojnë të sigurtë në mbështetjen e të propozuarit prej tyre, drejtuesit demokrat Hakeem Jeffries nga Nju Jorku.

Me republikanët që kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, 221 me 212, Ligjvënësi Jordan duhet të humbasë sa më pak vota të jetë e mundur, dhe të arrijë pragun prej 217 votash, nëse nuk mungojnë ligjvënës të tjerë gjatë votimit.

Ligjvënësi Jordan ka qenë ndër aleatët kryesorë të ish-Presidentit Trump, në veçanti gjatë sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit nga mbështetësit e tij në përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje përballë demokratit Joe Biden. Pak ditë më vonë, ish-Presidenti Trump i dha ligjvënësit Jordan “Medaljen e Lirisë”.

Tashmë si kandidati kryesues i Partisë Republikane përballë Presidentit demokrat Joe Biden për zgjedhjet e vitit 2024, ish-Presidenti Trump mbështeti që në fillim ligjvënësin Jordan për të zënë vendin e ish-Kryetarit McCarthy dhe u pozicionua kundër kandidaturës së ligjvënësit Scalise, i cili u tërhoq javën e kaluar pasi ligjvënësit republikanë nuk iu përmbajtën rregullave të tyre të brendshme për të mbështetur kandidatin e partisë./VOA/

 

Të ngjashme

Të fundit