Anija ka një ekuipazh prej rreth 2.500 marinarësh dhe do të transportojë edhe 2.500 marinsa të specializuar në operacione zbarkimi dhe ndërhyrje të shpejta ushtarake. Pentagoni nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për këtë vendim, por ekspertët ushtarakë amerikanë e lidhin lëvizjen me mundësinë e një operacioni kundër ishullit Kharg në Iran.
Ishulli Kharg ndodhet në pjesën veriore të Ngushticës së Hormuzit dhe është një nga qendrat kryesore të eksportit të naftës së Iranit. Nga kjo pikë kalon rreth 80 për qind e naftës që Irani eksporton në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht drejt Kinës. Për këtë arsye, një goditje ndaj këtij ishulli do të kishte pasoja shumë të rënda ekonomike për regjimin iranian.
Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini dhe Kuvajti, pesë monarkitë e Gjirit që janë goditur shpesh nga dronë dhe raketa iraniane, zhvilluan së fundmi një takim për të koordinuar një strategji të përbashkët. Sipas burimeve diplomatike, këto vende kanë vendosur të fokusohen në mbrojtjen e territorit të tyre dhe të shmangin përfshirjen në një luftë të drejtpërdrejtë me Iranin.






