Departamenti Amerikan i Mbrojtjes do të shkurtojë shpenzime të cilësuara si “të panevojshme” në vlerën e 5.1 miliardë dollarëve (rreth 4.5 miliardë euro), përfshirë edhe grante kërkimore për universitetet prestigjioze Cornell dhe Northwestern.
Lajmin e bëri të ditur Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, përmes një videoje të publikuar në rrjetin social X (ish-Twitter), ku theksoi se vendimi është pjesë e një programi më të gjerë për uljen e shpenzimeve federale.
“Që nga ky moment, kemi nënshkruar një memorandum që urdhëron anulimin e kontratave në vlerë prej 5.1 miliardë dollarësh nga buxheti i Departamentit të Mbrojtjes,” deklaroi Hegseth.
Ky hap vjen në kuadër të Komisionit për Efiçencën e Qeverisë (DOGE), i krijuar nga Presidenti Donald Trump dhe drejtuar nga sipërmarrësi Elon Musk. Qëllimi i tij është reduktimi i shpenzimeve publike në sektorë të konsideruar si “jo thelbësorë”.
Ndër shpenzimet që do të preken përfshihen grante në vlerë prej 500 milionë dollarësh për universitetet Cornell dhe Northëestern. Sipas autoriteteve, këto institucione janë kritikuar për “tolerim të antisemitizmit” dhe mbështetje të programeve të Diversitetit, Barazisë dhe Përfshirjes (DEI), të cilat Pentagoni i konsideron se “nxisin ndasi shoqërore”.
Universiteti Cornell reagoi menjëherë pas njoftimit, duke bërë të ditur se ka marrë 75 urdhra pezullimi për projekte kërkimore që përfshijnë fusha strategjike si mbrojtja kombëtare, siguria kibernetike dhe shëndeti publik. Një prej granteve të pezulluara, sipas deklaratës, është i lidhur me kërkime për luftën kundër kancerit.
Përveç universiteteve, sipas Hegseth, do të anulohen edhe njëmbëdhjetë kontrata të tjera që lidhen me çështje klimatike, menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe projekte të ndryshme të lidhura me DEI-në.
“Na duhen këto fonde për të përmirësuar shërbimet mjekësore për trupat tona dhe familjet e tyre, jo për të paguar konsulentë që marrin 500 dollarë për orë,” u shpreh Sekretari i Mbrojtjes.
Buxheti i Departamentit të Mbrojtjes për vitin 2025 kap vlerën e rreth 850 miliardë dollarëve. Që në muajin shkurt, Hegseth kishte nënshkruar një memorandum që urdhëronte hartimin e një plani për uljen e buxhetit të mbrojtjes me 8% çdo vit.