Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka reaguar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës mbrëmë në veri, ku një polic ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Në emër të SHBA-së ai ka dënuar ashpër këtë sulm.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm të 24 shtatorit. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagimi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”, thuhet në deklaratë.
Ai ka thënë se janë duke e monitoruar këtë situatë nga afër, dhe se autorët e këtij sulmi duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi.
“Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”, ka thënë ambasadori.
Ai në emër të SHBA-së ka shprehur ngushëllime për vrasjen e rreshterit të policisë.