25.9 C
New York
Friday, July 18, 2025

Buy now

ShBA, Britani, Australi me nëndetëse me energji bërthamore në përgjigje të Kinës

- Advertisement -

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden bëri të ditura të hënën detajet e marrëveshjes së rëndësishme për nëndetëset me Britaninë dhe Australinë, që synon t’i përgjigjet aktivitetit të Kinës. Presidenti Biden tha gjithashtu se pret të bisedojë së shpejti me udhëheqësin kinez Xi Jinping, por nuk tha se kur.

I pyetur gjatë një takimi me Kryeministrin britanik Rishi Sunak në San Diego të Shteteve të Bashkuara, nëse ishte i shqetësuar se Kina do ta shihte marrëveshjen AUKUS për nëndetëset si agresion, Presidenti Biden u përgjigj “jo”.

I pyetur nëse do të flasë së shpejti me zotin Xi, Presidenti Biden tha “po”, por pyetjes nëse do t’i tregonte gazetarëve se kur do të takohen, ai iu përgjigj “jo”.

Presidenti Biden tha në mesin e muajit shkurt se priste të fliste me zotin Xi për atë që Shtetet e Bashkuara thanë se ishte një balonë spiune kineze që fluturoi nëpër hapësirën ajrore amerikane, duke përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tensionuara, por asnjë telefonatë e tillë nuk është njoftuar.

Presidenti Biden gjatë takimit dypalësh me Kryeministrin britanik Sunak
Presidenti Biden gjatë takimit dypalësh me Kryeministrin britanik Sunak

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara dëshironin të rivendosnin komunikimet e rregullta me Kinën dhe Presidenti Biden pritej të fliste me Presidentin kinez Xi me telefon, pasi qeveria e Kinës të jetë rikthyer në punë pas Kongresit të saj vjetor Kombëtar Popullor që përfundoi të hënën.

Marrëveshja AUKUS për të pajisur Australinë me nëndetëse me energji bërthamore synon t’i kundërvihet veprimeve të Kinës në rajonin Indo-Paqësor dhe Pekini e ka dënuar atë si një akt të paligjshëm të përhapjes bërthamore.

I pyetur se kur mund të ndodhë një telefonatë me Presidentin kinez Xi, zoti Sullivan u përgjigj: “Kur Kongresi Popullor të përfundojë dhe qeveria, përfshirë presidentin, të rikthehet në punë në Pekin, presidenti (amerikan) parashikon mundësinë për t’u angazhuar nëpërmjet një telefonate”.

“Gjatë 18 muajve kemi komunikuar me (Kinën) në lidhje me marrëveshjen AUKUS dhe kemi kërkuar më shumë informacion prej tyre për qëllimet e tyre”, shtoi zoti Sullivan, duke iu referuar rritjes së kapaciteteve ushtarake të Kinës, përfshirë nëndetëset me energji bërthamore.

Jake Sullivan
Jake Sullivan

Gazeta Wall Street Journal raportoi të hënën se Presidenti kinez Xi planifikon të flasë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy për herë të parë që nga pushtimi rus në Ukrainë. Kjo telefonatë ka të ngjarë të bëhet pas vizitës së zotit Xi në Moskë javën e ardhshme për t’u takuar me Presidentin rus Vladimir Putin, thuhet në artikullin e gazetës.

Zoti Sullivan u tha gazetarëve gjatë udhëtimit për në San Diego të hënën se Uashingtoni e ka inkurajuar publikisht dhe privatisht zotin Xi të bisedojë me zotin Zelenskiy, në mënyrë që të dëgjojë “jo vetëm perspektivën ruse” për luftën.

Zoti Sullivan shtoi se Ukraina nuk pati konfirmuar një telefonatë mes zotit Xi dhe zotit Zelenskiy. /VOA/

Të ngjashme

Të fundit