Aktorja e famshme e Hollywood-it, Sharon Stone, ka bërë së fundmi një rrëfim tronditës, ku ka zbuluar plagë të thella nga jeta e saj personale dhe ajo profesionale.
Titulli i librit të saj, “The Beauty of Living Twice”, i referohet shansit të dytë që ajo mori pasi pësoi një goditje dhe hemorragji në tru në vitin 2001.
Por jo vetëm kaq, pasi ajo kujton edhe kohën nga edukimi i vështirë në Pensilvani, ku Sharon kishte një marrëdhënie dashurie-urrejtjeje me prindërit që ndonjëherë e rrihnin.
Stone zbulon se gjyshi i saj nga nëna kishte qenë abuziv dhe se e ëma ishte larguar nga shtëpia që në moshë të vogël për të shpëtuar nga dhuna. Ajo gjithashtu tregon se edhe vetë ka qenë viktimë e abuzimit në fëmijëri, ashtu si motra e saj.
“Askush nuk kalon nëpër këtë jetë pa u prekur. Atëherë, përse pretendojmë të kundërtën?”, thotë ajo me një ndjenjë thellësisht reflektuese.
Kujtojmë se në vitet 1990, ajo u bë një nga yjet më të mëdhenj të Hollywood-it falë roleve në filma si “Total Recall”, “Basic Instinct” dhe “Casino”.
Por libri në fjalë, i cili u botua në Mbretërinë e Bashkuar të enjten, zbulon mbijetesën e fortë pas imazhit të yllit joshës të filmit.
Stone është 67 vjeç dhe për pjesën më të madhe të jetës së saj mendonte se nëna e saj e urrente. Vetëm më vonë, kur u afruan shumë, ajo e kuptoi sa e trazuar kishte qenë jeta e Dotit dhe pasojat që kjo kishte pasur për Stone dhe vëllezërit e motrat e saj.
Aktorja e famshme thotë se Dot pati një vdekje të tmerrshme:
“Ajo kishte frikë të madhe se kur të vdiste, nëna dhe babai i saj do të ishin atje. Ajo nuk donte të vdiste, sepse nuk donte t’i shihte, sepse ishin shumë të tmerrshëm. Kështu që e binda se i kisha futur në burg dhe se nuk do të ishin atje. Ajo ishte në një ferr të tillë”.
Në kujtimet e saj, ajo përshkruan mbylljen në një dhomë me gjyshin dhe motrën e saj. Në një moment, ajo hyn në një dhomë kur ai duket se po abuzonte seksualisht me motrën e saj. A e abuzoi seksualisht edhe Stone?
“Po. Dhe kur e thashë këtë në librin tim, të gjithë u çmendën dhe thanë se po tregoja historitë e të tjerëve. Ata thanë: po tregon historinë e motrës sate, ose këtë histori, ose atë histori. Dhe unë nuk po tregoja historinë e askujt. Nuk përmenda emrin e askujt në librin tim”.
A ishte motra e saj e mërzitur me të?
“Ajo ka refuzuar t’a lexojë librin tim, edhe pse më inkurajoi t’a shkruaja, ashtu si edhe mamaja ime, dhe unë ia kushtova librin tim mamit”.
A e abuzoi seksualisht gjyshi i saj edhe nënën e saj?
“Po, sigurisht, dhe të gjitha motrat e saj. Kjo është arsyeja pse ajo u nxor nga shtëpia kur ishte nëntë vjeç. Në orën e gjimnastikës, asaj po i rridhte gjak nga pjesa e pasme e uniformës dhe mësuesi i saj thirri shërbimet sociale. Ata ia hoqën bluzën dhe ajo ishte rrahur aq keq sa shpina i ishte mbuluar me plagë dhe gjak.
Mendoj se abuzimi është arsyeja pse të gjitha motrat e saj u çmendën. Të gjitha u trajtuan për probleme të shëndetit mendor. Ishin pesë prej tyre dhe vetëm nëna ime jetoi mbi 50 vjeç. Dhe ato kishin disa motra të tjera që vdiqën në fëmijërinë e tyre të hershme”.
Për sa kohë e abuzoi gjyshi i saj?
“Ia mbatha kur isha pesë ose gjashtë vjeç, përpara se ai të më abuzonte seksualisht shumë. Isha një fëmijë shumë i zgjuar. Ia dola mbanë me abuzime shumë më të lehta sesa njerëzit e tjerë”.
Stone e di që i ka mërzitur njerëzit duke zbuluar sekretet familjare, por është e gatshme të paguajë çmimin.
“Kur je personi që thyen zinxhirin familjar, askush nuk të pëlqen, apo jo? Familja jote nuk të pëlqen, miqtë e tu nuk e dinë se çfarë po ndodh me ty. Njerëzit thjesht mendojnë se je i çmendur dhe se diçka nuk shkon me ty”.
Edhe pse marrëdhënia e Stone me nënën e saj ishte e trazuar, ajo vuri re një marrëdhënie të dashur midis nënës së saj dhe babait të saj, Joe-t. Pavarësisht se ai ishte një disiplinues i ashpër në vitet e saj të para, Stone vazhdoi të kishte një marrëdhënie të mrekullueshme me Joe-n, një punëtor fabrike i cili u bë prodhues veglash dhe matricash. Ai pati një ndikim të madh tek ajo, duke i thënë asaj se nëse donte respekt, duhej ta kërkonte atë dhe duke i treguar asaj si të afirmonte veten në një botë burrash.