Kryetari aktual i Prizrenit dhe kandidati i PDK-së për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në prag të balotazhit për zgjedhjet lokale në këtë komunë.
Në një postim publik, Totaj falënderoi qytetarët për mbështetjen e treguar në rundin e parë të zgjedhjeve, duke theksuar se rezultati ishte një dëshmi e besimit për të vazhduar me punë konkrete për zhvillimin e Prizrenit.
“Të dashur qytetarë të Prizrenit dhe përkrahës të PDK-së, rezultati i rundit të parë tregoi qartë besimin për të vazhduar edhe një mandat me punë të mira e vepra konkrete për Prizrenin,” ka shkruar Totaj.
Ai tha se bashkëpunimi me LDK-në është rezultat i vizionit të përbashkët për modernizimin e qytetit dhe përfshirjen e të gjithëve në qeverisje. “Sot jam i lumtur ta ndaj lajmin e arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje me LDK-në, i bindur se idetë e reja dhe përvoja e kësaj force politike do t’i shërbejnë Prizrenit edhe më shumë,” ka deklaruar Totaj, duke falënderuar kryetarin e degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, për mbështetjen në balotazh.
Totaj ka shtuar se qëllimi i përbashkët mbetet zhvillimi i Prizrenit dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve, përtej dallimeve partiake.
Në fund të njoftimit, ai u është drejtuar qytetarëve me mesazhin: “Prizren urime dhe na priftë e mbara! Rrugëtojmë bashkë +4 për Prizrenin e të gjithëve dhe për të gjithë!”/RtvBesa.






