Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka komentuar vendimet e Qeverisë lidhur me situatën e krijuar muajt e fundit në katër komunat në veri.
Sipas tij, tashmë është vërtetuar se gjithçka ka qenë “lojë” e kryeministrit Albin Kurti.
“Ne e themi sinqerisht, edhe nuk kemi pasur vullnet, nuk kemi dëshiruar dhe nuk kemi dashur të besojmë se gjithçka që sillet në raport me pjesën veriore është lojë dhe inskenim taktik për konsum të politikës ditore. Kjo tashmë është vërtetuar”, tha ai në “Info Nata” në Tëvë 1.
Shala deklaroi se situata e krijuar, tensionimi i panevojshëm, siç thotë ai, si dhe lëndimi ndaj forcave të sigurisë janë të dëmshme.
Ai potencoi se pas lëndimeve të ushtarëve të KFOR-it, kryeministri, ministri i Mbrojtjes apo ministrja e Punëve të Jashtme nuk i kanë vizituar ose dërguar asnjë email zyrtar për t’i falënderuar për shërbimin.