Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar ndaj reduktimeve të ashpra me energji elektrike.
Ai ka bërë me dije se Qeveri Kurti në mënyrë skandaloze e ka menaxhuar sektorin e energjisë elektrike.
Në profilin e tij në “Facebook”, Shala ka vlerësuar se prioriteti i vetëm i Qeverisë Kurti kanë qenë tenderët në KEK dhe pasurimi i zyrtarëve të pushtetit përmes pazareve me Serbinë.
“Me dhjetëra herë në Kuvendin e Kosovës kam folur për një menaxhim skandaloz të sektorit të energjisë. Por, kjo qeveri asnjëherë nuk e ka trajtuar këtë me prioritet dhe profesionalizëm. Prioriteti i vetëm kanë qenë tenderët në KEK dhe pasurimi i zyrtarëve të pushtetit përmes pazareve me Serbinë. Kjo qeveri e ka refuzuar gazin amerikan dhe ka zgjedhur të bëjë pazare energjetike me Serbinë”, ka shkruar Shala.
Sipas tij, Kosova do të marrë drejtim të ri pas 9 shkurtit.
“Madje, me paratë e dhëna në këto pazare, sot ne do ta kishim termocentralin e ri. Mbi 560 milionë euro të buxhetit janë dhënë për energji dhe asnjë investim kapital. Prandaj, çdo dimër me këtë qeveri është dimër në terr. Më 9 shkurt, Kosova duhet të marrë drejtim të ri me një ekip që e kthen dritën. #MaMirë”, ka shkruar Shala.