Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka publikuar një fotografi ekskluzive me tre bashkëluftëtarët e orëve të para të lirisë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.
Këtë fotografi, Shala e ka sjellë në kujtesë me rastin e 4-vjetorit të dërgimit në Hagë të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Duke vlerësuar lartë kontributin e tyre për liri, ai është shprehur i bindur se katërshja e UÇK-së do të kthehet faqebardhë në Kosovë.
Postimi i plotë në Facebook:
Me Hashimin dhe Kadriun, si edhe me Rexhën, na bashkon një jetë angazhim dhe luftë për një ideal të përbashkët – lirinë e Kosovës.
Jakup Krasniqi nuk ishte vetëm bashkëluftëtar, por edhe mësuesi im, nga i cili mora edhe dije e mësime, por edhe frymëzime atdhedashurie.
Sot bëhen katër vite që të katërtit nuk janë në Kosovë. Angazhimi i tyre për të drejtën e popullit të Kosovës për liri sot ka marrë trajtën e mbrojtjes së kësaj të drejte. Sa më shumë kalon koha, mungesa e tyre bëhet më e dukshme, madhështia tyre më evidente dhe lufta e tyre më sublime.
Sypatrembur, siç ishin gjithmonë, të katërtit e pranuan pa mëdyshje përballjen me drejtësinë, të bindur në pastërtinë e luftës së popullit tonë për liri.
E, me besim në drejtësi, faqebardhë do të kthehen në fund.