Në një mbledhje elektronike, Qeveri e Kosovës të premten ka miratuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Gzim Shala, Hulumtues i Lartë në IKD, ka thënë për Nacionale se nga kjo 12 nene të reja të projektligjit nuk janë kërkesë e GJK-së.
“Në rastin konkret, nga ajo çfarë përgjithësisht kemi parë, Projektligji në fjalë adreson një sërë çështjes, duke tejkaluar edhe kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Projektligji në fjalë përmbanë 18 nene, tre nene që prekin kërkesat e GjK-së dhe tre nene që formalisht vijnë si format standard (qëllimi, fushëveprimi dhe hyrja në fuqi). Kjo i bie se kemi 12 nene të reja që nuk janë kërkesë e GjK-së.” – ka thënë ai.
Shala tutje ka shkruar se Qeveria është dashur që këtë Projektligj ta vendosë në konsultim publik.
“Në këtë situatë, nisur nga obligueshmëria sipas Rregullores për Standardet Minimale në Procesin e Konsultimit Publik dhe rëndësia e këtij Projektligji, Qeveria është dashur që këtë Projektligj ta vendosë në konsultim publik. Kështu, kjo situatë paraqet shkelje të kësaj rregullore dhe standardeve të qeverisjes së mirë. Në këtë situatë, mbetet të analizohet tutje nëse Projektligji në fjalë është në përputhje me qëndrimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj lidhur me Projektligjin për Zyrtarët Publik.” – ka përfunduar Shala.