Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka miratuar vendimin për ndarjen e një bonusi në vlerë prej 400 euro neto për të gjithë të punësuarit e korporatës.
“Ky vendim është marrë bazuar në kompetencat statutare të Bordit, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare të qeverisjes korporative, si dhe mbi bazën e performancës së mirë financiare të KEK Sh.A. gjatë vitit 2024”, thuhet në njoftim.
Ferat Shala thotë se një veprim i tillë është mashtrim, sepse punëtorët e KEK-ut meritojnë rritje të pagës dhe jo bonuese.
Shala ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se po luan me djersën e punëtorëve duke i injoruar dhe përbuzur për katër vite.
“Punëtorët e KEK-ut meritojnë rritje page, jo bonuse, ky është mashtrim. Qeveria Kurti ka luajtur dhe po luan me djersën e punëtorëve, i ka përbuzur dhe injoruar tash e katër vite (kërkesat sindikale etj). I ka diskriminuar e mashtruar punëtorët me mosrritje pagash e mos përmirësim të kushteve të punës të dy sektorët publik dhe privat (vetëm javët e fundit 4 punëtorë kanë humbur jetën ne vende të punës)”, ka thënë ai për Periskopin.
Sipas tij, rasti i KEK-ut është i veçantë sepse po orvatet qeveria që t’i mashtrojë përkohësisht punëtorët deri të përfundon procesi zgjedhor lokal dhe qendror.
Ish-kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka shtruar pyetje për Bordin e KEK-ut.
“Ku ishte bordi deri më sot? Pse po ndan bonuse e jo rritje pagash? Pse kjo tani, bonuse në mes të vitit kalendarik dhe fiskal? Çka ka ndodhur pozitive në KEK që të jepen bonuse?”, ka pyetur Shala.
Ai ka vlerësuar se bordi i KEK-ut me urdhër politik po blen paqe të përkohshme me Sindikatën e punëtorëve.
“Prodhimi ka rënie të tmerrshme. Pa vullnetin e punëtorëve me politikat e qeverisë KEK ka favorizu imporetet e energjisë si kurrë më parë. Pra bordi me urdhër politik po blenë paqen e përkohëshme nga Sindikatat dhe punëtorët”, ka thënë Shala./Periskopi/