I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Ferat Shala.
Shala ka folur në lidhje me dorëheqjen e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dorëheqje për të cilin tha se nuk kishte informacion se do të ndodhte.
Ai e falenderoi Krasniqin për angazhimin dhe përkushtimin në krye të PDK-së duke thënë se i njëjti arriti t’a sjell një frymë dhe një koncept tjetër në një situatë që ishte PDK-ja pas shkuarjes së liderve historik në Hagë.
“Me thënë të drejtën unë personalisht nuk e kam prit dhe nuk patur informacion të fundit që do të kemi një situatë të tillë, megjithatë unë shfrytëzoj rastin që prononcimi im i parë pas kësaj ngjarjeje është t’a falenderoj përzemërsisht, Memli Krasniqin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës për punën, angazhimin, përkushtimin të gjatë për Partinë Demokratike por me theks të veçantë për gjithë përkushtimin e tij dhe rezultatet e arritura si udhëheqës i PDK-së në katër vitet që po i lemë pas. Memli Krasniqi ka arrit që në Partinë Demokratike t’a sjell një frymë dhe një koncept tjetër në një situatë jashtëzakonisht delikate që ishte vetë situata e përgjithshme në Kosovë, që ishte vetë PDK-ja pas shkuarjes së liderve tanë historik në Hagë dhe normalisht në rrjedha që po ndodhnin politikisht në Kosovë. Prandaj Memli është figura qëndrore që e ka balancu, e ka mirëmbajtë, e ka zhvillu dhe trasu pa dalë nga binarët historik, Partinë Demokratike. Pa marrë parasysh pozicionin e tij dhe vendimin e tij personal që ne e respektojmë, ai ka qenë dhe mbetet njëri nga figurat qëndrore të Partisë Demokratike që i ka dhënë shumë partisë dhe vazhdon t’i jep me bindje të thellë që do të rrugtojmë përsëri bashkë drejt fitoreve të PDK-së, drejt reformave eventuale por edhe drejt shënimeve për fitoren e shpejtë që na presin zgjedhjet nacionale tashmë që jemi në prag të tyre” deklaroi Shala.
Shala tha se Krasniqi ka qenë jashtëzakonisht i sinqertë, transparent dhe i hapur.
“Ai e tha edhe dje në Kryesi por edhe para mediave, është reflektim i tij personal mbi bazën e asaj që ka planifiku, ka realizu dhe ka zhvillu brenda këtyre viteve në Partinë Demokratike. Konsideroj se ai i ka dhënë të gjitha ato që duhet dhe ka dasht t’i thotë dje gjatë tërë ditës. Ka qenë jashtëzakonisht i sinqertë, transparent, i hapur. Pak lider gjen që brenda ditës mban konferencë shtypi, mban mbledhjen e Kryesisë së partisë dhe kthehet prap në opinion dhe i nënshtrohet një debati transparent dhe sqarues, shterues politik” tha Shala.
I pyetur nga gazetari Gashi se si ndikon në PDK në këtë moment largimi i Krasniqit, Shala pati këtë përgjigje.
“Konsideroj, bindje personale është por edhe e shumicës së kolegëve, dje normalisht që nuk e kemi përjetuar lehtë, por që Partinë Demokratike nuk e len keq sepse e ka pru në një stad shumë të mirë politik, ka bë një opozitarizëm tash e katër vjet shumë të qëndrueshëm, sepse ka fitu shumë beteja politike në raport me një pushtet teper abuziv në raport me shtetin. Ka fitu dhjetra lëndë juridike gjyqësore dhe kemi shpërfaq paaftësinë qeverisëse të kësaj Qeverie” deklaroi Shala në Blic Interview raporton “Gazeta Blic”.






