Analisti politik Azdren Shala ka folur për moszgjedhjen e një nënkryetari të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai ka theksuar se do të duhej të votohej propozimi që ishte bërë nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
“Ta presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por këtu, bllokuesit e vetëm të Kuvendit të Kosovës janë marrëzia e 100 deputetëve shqiptarë që, bashkë me minoritetet e tjera jo serbe, e luajnë vallen e Albin Kurtit”.
“Sepse stigmatizimi i atyre që e votojnë Listën Serbe si tradhtarë të kombit është kurth që e kanë ndërtuar dhe në të cilin kanë rënë partitë e tjera: PDK, LDK, AAK, e bëfshin me shëndet”, ka thënë Shala.
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Njëherësh bazuar në njoftimin e kësaj gjykate të publikuar javën e kaluar, deputetët obligohen që ta zgjedhin atë brenda 12 ditësh.
“TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.