Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është e zhytur thellë në krizën energjetike në vend.
Shala ka thënë se PDK-ja ka pasur dhe ka indikacione se qeveria është e përfshirë në afera të dyshimta në tërë sektorin energjetik.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe grupi parlamentar ka pasur dhe ka indikacione që qeveria Kurti ka qenë dhe është thellë e zhytur në afera të dyshimta në tërë sektorin energjetik, në eksport, në import, në tenderë njëburimor, në punësime, në subvencionim të sektorit, me ndërmarrjet publike dhe private të sektorit energjetik, me negociata për zgjidhje të problemit energjetik në pjesën veriore me KOSTT-in, me ZRrE-në, KEDS-in, KESCO-n dhe KEK-un. Problem është heshtja e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar. Problem është paaftësia menaxhuese e kësaj qeverie”, ka thënë Shala për Epoka e re.
Për shkak të këtyre dyshimeve, Shala ka thënë se është e domosdoshme që të krijohet Komisioni Hetimor për Energji. “Qeveria ka qenë thellë e zhytur në keqmenaxhimin e krizës energjetike, me ndërhyrje politike në gjithë sektorin energjetik, me ndërhyrje në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me ndërhyrje të mëdha financiare, pa qartësi dhe transparencë, pa bazë ligjore dhe pa arsye ekonomike. Pra, shpenzim i buxhetit me pasoja dhe dyshime të mëdha”, ka thënë ai.
Shala, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka thënë se pa u zbardhur e vërteta e subvencionimit të mbi 100 milionë eurove për energjinë elektrike, nuk mund të ketë asnjë hap zhvillimor. “Presim që opinioni dhe qytetarët ta dinë të vërtetën mbi konsumin vendor dhe importet. Presim të zbardhet e vërteta mbi sektorët energjetikë. Presim që të qartësohet rruga për menaxhim më të mirë të këtij sektori për të ardhmen. Nuk mund të vazhdojmë më tutje në asnjë hap tjetër zhvillimor pa u qartësuar periudha e dyshuar”, është shprehur Shala.
Shala ka folur edhe për opozitën dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike nga ana e pushtetit. Sa i përket opozitës, Shala ka thënë se nuk ka kopjuar asgjë nga metodat opozitare nga e kaluara. Ndërsa për ndërmarrjet publike, Shala ka thënë se janë në një situatë të vështirë. “Asnjë projekt, asnjë strategji, asnjë projekt zhvillimor deri më tani nuk e kemi. Borxhet e këtyre ndërmarrjeve për çdo ditë shtohen me miliona euro. Keqmenaxhimi dhe nepotizmi është i dukshëm. Joprofesionalizmi menaxhues është shumë i lartë”, ka deklaruar Shala.