Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, është shprehur i shqetësuar me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë.
Ai ka bërë me dije se ata pa kushtet elementare të punës po punojnë në temperatura të larta.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se institucionet shtetërore nuk po e bëjnë punën e tyre në këtë drejtim.
Sipas tij, policia dhe prokuroria merren vetëm me pasojat.
“Realisht, ne në reagime duam t’u paraprijmë proceseve që punëtorët të jenë të mbrojtur në vendin e punës. Policia dhe prokuroria kryesisht po merren me pasojat, pasi që po ndodhin pasojat, qoftë lëndime të rënda, qoftë invaliditet i përjetshëm apo përfundim me fatalitet. Është joserioze. Po e shihni në temperatura 36 deri 38 gradë, punëtorët punojnë në ndërtimtari kur nuk ka kushte minimale për sigurinë e tyre. Pastaj, puna pa orar. Ta keni parasysh që punëtorët punojnë për të ruajtur një vend pune që ndoshta është burimi i vetëm i familjes për të siguruar një mbijetesë. Punëtorët shumë herë nuk pajisen me masa mbrojtëse, edhe pse thuhet që ua kanë blerë ato mjete mbrojtëse, por ata nuk i përdorin. Megjithatë, nuk guxojnë ta lejojnë një punëtor të punojë pa masa mbrojtëse”, ka deklaruar Shala.