Politikani shqiptar në Luginë të Preshevës, Shaip Kamberi, ka përsëritur kërkesën e tij për përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhej nga Partia për Veprim Demokratik, bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik, në zgjedhjet e 3 prillit të Serbisë, mori 9 644 vota – të pamjaftueshme për një ulëse në parlament.
Kamberi në një intervistë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se kanë mbetur pa numëruar edhe 1 për qind e votave në nivel të Serbisë dhe për të marrë një ulëse të deputetit iu duhen edhe 300 vota.
“Ka mbetur vetëm, edhe 1 për qind e votave të panumëruara në nivel të Serbisë, për të kaluar pragun. Për një ulëse në parlament na nevojiten afërsisht edhe 300 vota. Prandaj votat e marra, në këtë moment nuk janë të mjaftueshme për një mandat”, ka thënë Kamberi, i cili në mandatin e kaluar ishte deputet në Parlamentin e Serbisë.
Ai ka treguar edhe arsyen pse komuniteti shqiptar në Serbi (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc) nuk arriti të marrë asnjë ulëse në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit.
“Procesi i pasivizimit të adresave që selektivisht po zbatohet ndaj shqiptarëve po i jep rezultatet e veta, migrimi i cili vjen si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm e që ka sjellë largimin e një numri të madh të njerëzve, sidomos të të rinjve janë dy faktorët kyç që ndikuan në numrin më të vogël të të dalurve në këto zgjedhje. Kësaj duhet shtuar edhe numrin e madh të zgjedhësve në nivel të Serbisë, që me automatizëm e rritë numrin e domosdoshëm për “pragun natyrorë” që ndikon për një mandat deputeti”, ka bërë me dije Kamberi.