Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), Agrokosova Holding dhe Komuna e Suharekës kanë organizuar aktivitetin tradicional “Vjelja e rrushit – Kosova 2025”, ku u theksua rëndësia e fuqizimit të prodhuesve vendorë dhe nevoja për mbështetje më të madhe institucionale.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se Suhareka është shndërruar në një stacion të madh për prodhuesit vendorë dhe investitorët e huaj, duke theksuar rëndësinë që ka rrushi i Kosovës në tregun ndërkombëtar.
Ai shtoi se pavarësisht këtij potenciali të madh, prodhuesit vendorë po përballen me sfida serioze financiare.
“Suhareka është bërë një stacion i madh për prodhuesit vendor, për investitorët e huaj, këtu fal politikave lokale që i zhvillon dhe që i promovon kryetari i komunës. Sot vjelja e rrushit nuk është simbolik e prerjes, por rrushi është një vlerë kombëtare. Rrushi i Kosovës prodhon më së shumti produkte të verërave të ndryshme të cilat dalin në tregun jo vetëm të Kosovës por anë e mbanë Evropës dhe anë e mbanë botës. Ndihemi krenar shumë që ne dhe produktet e Kosovës gjenden në tavolinat më të gjitha nivelet botërore, duke përfshirë këtu edhe Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Këshillin e Evropës dhe konsumatorët evropian. Prandaj politikat shtetërore duhet që të avancohen më shumë për të fuqizuar prodhuesin vendor. Kanë nevojë më shumë mbështetje, por goditjet e fundit me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe daljen në treg të prodhuesve vendor ka goditur rëndë dhe ka shtrenjtua shumë produktet vendore por edhe shërbimet vendore. Edhe ky prodhues sot është prekur nga tregu i lirë, siç thuhet, por ai është tregu i shtrenjtë”, tha Shahini.
Pronari i Agrokosova Holding, Aziz Tafaj, theksoi se cilësia e rrushit këtë vit është shumë e lartë pavarësisht sfidave klimatike dhe mungesës së fuqisë punëtore.
“Ka pasur mjaft thatësi por për fat të mirë po vërtetohet që jemi në një mikro klimë ideale. Në dy javët e fundit me reshjet e fundit kjo sasi e rrushit jo aq e madhe është zëvendësuar me kualitetin e lartë dhe mund të konstatoj se fillimi është i mbarë. Një risi është që këtë vit kemi filluar edhe vjeljen mekanike dhe po shkon mbarë. Siç e dini, problemi i fuqisë punëtore në Kosovë e në veçanti në komunën e Suharekës është shumë i madh, prandaj jemi detyruar që të pajisemi me makina për vjeljen e rrushit dhe kjo na ka ndihmuar shumë”, tha Tafaj.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se tradita e prodhimit të rrushit është një nga pasuritë kryesore të komunës që po zhvillohet çdo ditë e më shumë.
“Po më vjen mirë që Suhareka po ndryshon për çdo ditë e më mirë. Suhareka ka traditë mijëra vjeçare për sa i përket rrushit, është një vend karakteristik. Ka cilësinë më të mirë jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Sot është ditë me rëndësi, kemi dy procese, kemi vjeljen e rrushit dhe fillimin e procesit mësimor”, tha Muharremaj.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Restoranteve “Bujtina Shqiptare”, Kujtim Dervishi, tha se promovimi i produkteve shqiptare është një prioritet i përhershëm.
“Ne si shoqatë promovojmë vlerat e produkteve shqiptare si në Shqipëri e gjithashtu edhe në Kosovë”, tha ai.
Mbështetje për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor shprehu edhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Qobaj.
“Mali i Zi është vend mik i Kosovës, do të mundohemi edhe në të ardhmen ta fuqizojmë të ardhmen tonë si në sferën ekonomike e sidomos në sferën kulturore ku puna ime ishte më aktive”, tha Qobaj.