Kryetar i Aleancës Kosovare për Biznese (AKB), Agim Shahini ka hedhur kritika ndaj Qeverisë në detyrë, Albin Kurti në lidhje me ndarjen e buxhetit nëpër komuna, përgjatë gjithë katër vjeçarit.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ndarja buxhetore për komuna nuk ka qenë e njëjtë për secilën komunë, duke thënë se kështu u favorizuan komunat që udhëhiqen nga partia të cilën e drejton Albin Kurti, pra Lëvizja Vetëvendosje.
“Sipas kryetarëve të komunave nuk ka qenë i barabartë ka pas përformanca më të mira në komunat ku i kanë udhëheq kryetarët e LVV-së ndërsa në komunat tjera kanë pasur buxhet të limituar dhe të bllokuar. Të gjitha komunat e Kosovës i ka blloku ose i ka ngulfat buxhetin lokal me marrëveshje kolektive të cilat kanë qenë pjesë e nivelit qendror që ata të paguajnë dhe janë detyru nga buxheti lokal të ndajnë në investime kapitale dhe t’i paguajnë kontratat kolektive dhe e kanë ngadalësu zhvillimin ekonomik në nivel lokal dhe shpresoj që në të ardhmen qeveria e Kosovës me marr këtë barrë”, ka thënë ai.
Shahini ka komentuar edhe zgjedhjet lokale që u zhvilluan në dy raunde dhe parregullsitë që u shfaqen në fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut.
Ai ka thënë se zgjedhjet janë zhvilluar në frymën demokratike, ndërkohë që tha se kush është fitues i këtyre zgjedhjeve.
“Zgjedhjet pothuajse kanë qenë në frymën demokratike përveç reagimeve të fundit që ka dalë në Mitrovicë, në përgjithësi fituesit e këtyre zgjedhjeve dihet që janë dy parti njëra është më e vogla dhe i ka fitu ‘Lista Srpska’ mbi 10 komuna, dhe tjetra partia më e madhe që i ka fitu tri në shtatë komuna dhe kjo e ka bërë që t’i kemi dy parti të tjera siç janë PDK-ja dhe LDK-ja edhe humbëse në këtë proces të cilat kanë humb të dyja nga dy komuna dhe stabilitetin më të madh në këto zgjedhje e ka pasur AAK, e ka pas një përfshirje në tërë Kosovës por përqendrimi në ato pesë komuna që i ka pasur kanë qenë stabile. Ne e vlerësojmë që ndryshimet po ndodhin dhe ato ndryshime duhet të jenë për të mirën e qytetarit dhe për të mirën e zhvillimit lokal por duhet të pranohen ndryshime sepse jo gjithmonë ndryshimet kanë sjellë rezultat. Ne si Aleancë e Biznesit e vlerësojmë që fituesi më i madh këtyre zgjedhjeve nëpër komunat është ‘Lista Srpska’ dhe është Vetëvendosje”, tha ai.
Shahini insiston se fitorja në Mitrovicë e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci ishte si rrjedhojë e vizitave të kryeministrit në detyrë Albin Kurti në këtë komunë.
“Ndikimi ose rritja e LVV nëpër disa komuna është e natyrshme sepse të kesh pushtet për 5 vjet dhe të mos rritesh në asnjë komunë është jo e mirë. Ndoshta presioni autoriteti oferta premtimet nga qendra që janë për nivel lokal sepse dihet që nëpër të gjitha komunat ka fitu Albin Kurti dhe kryetarët e tyre kanë qenë vetëm si dekor sesa si përformues që ata kanë mundur t’i jepin besim qytetarit. Në këtë rast autoriteti i Albin Kurtit është në nivel lokal dhe ku ka dashur të fitoj ka fitu si në Mitrovicë mirëpo Prishtinën e ka humb sepse nuk ka qenë shumë aktiv në Prishtinë. Gjatë gjithë fushatës ai më shumë ka qëndru në Mitrovicë dhe Vushtrri sesa në Prishtinë dhe ka rezultu si fitues në atë pjesë të Kosovës”, nënvizoi Shahini.






