12.4 C
New York
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

Sfiduesi i Vladimir Putin që ka vënë në dilemë Kremlinin

- Advertisement -

Duke mbajtur radhën, mijëra njerëz nëpër Rusi në ditët e fundit u kanë rezistuar të ftohtit të madh me synimin që nënshkrimi i tyre të jetë në peticionin për të përkrahur sfiduesin e pazakontë të presidentit Vladimir Putin.

Boris Nadezhdin është shndërruar në dilemë për Kremlinin teksa po bën përpjekje që të garojë në zgjedhjet presidenciale të 17 marsit. Tani shtrohet pyetja nëse autoritetet ruse do t’ia lejojnë atij të marrë pjesë në zgjedhje.

Akademiku dhe ligjvënësi me syze, 60-vjeçar, ka tronditur publikun kur hapur bëri thirrje për ndaljen e konfliktit në Ukrainë, fundin e mobilizimit të burrave për ushtri dhe nisjen e dialogut me Perëndimin. Ai gjithashtu ka kritikuar shtypjen e aktivizmit të LGBTQ+ nga shteti.

“Mbledhja e nënshkrimeve çuditërisht ka shkuar mirë për ne”, ka thënë Nadezhdin për Agjencinë “Associated Press” në një intervistë të mërkurën në Moskë. “Të jemi të sinqertë, nuk e kemi pritur këtë”.

Emri i Nadezhdinit është formë e fjalës ruse për “shpresën”, dhe ani pse ai nuk ka gjasa që ta mposhtë fort të popullarizuarin Putin, rreshti i gjatë për nënshkrim është shenjë e rrallë e protestës, sfidimit dhe optimizmit në shtetin që ka përndjekur disidentët qëkur ushtria ia mësyu Ukrainës para dy vjetësh.

Nadezhdin ka garuar si kandidat i Partisë për Iniciativë Qytetare. Për shkak se partia nuk përfaqësohet në parlament, atij nuk i është garantuar vendi në fletëvotime dhe i duhet të mbledhë më shumë se 100 mijë nënshkrime, me një kufizim nga 2 mijë e 500 në secilin rajon të Rusisë, jo vetëm në ato më të mëdhatë, por edhe më progresivet.

Me origjinë nga Belgorodi, qyteti kufitar rus i bombarduar nga forcat ukrainase në javët e fundit, Rakityansky thotë se e mbështeti Nadezhdinin me qëllim që qyteti i tij “të mos bombardohet dhe njerëzit të mos vdesin nëpër rrugë”.

Videot në internet kanë treguar radhë mbështetësish jo vetëm në Moskë dhe Shën Petersburg, por edhe në Krasnodar në jug, Saratov dhe Voronezh në jugperëndim dhe përtej maleve Urale në Yekaterinburg.

Edhe në qytetin e lindjes së largët në Yakutsk, 450 kilometra në jug të rrethit Arktik, ekipi i Nadezhdinit thotë se deri në 400 njerëz në ditë u përballën me temperaturat që ranë në minus 40 celsius vetëm për të nënshkruar peticionin.

“Kushtet tona të motit nuk janë perfekte dhe përgjithësisht pranohet se është e vështirë të përfshihen njerëzit në veri në këtë lloj aktiviteti, por njerëzit vijnë çdo ditë”, thotë Alexei Popov, kreu i ekipit zgjedhor të Nadezhdinit në Yakutsk. Ai shton se fillimisht kishin pritur rreth 500 nënshkrime në total për të gjithë rajonin.

Në një vend grumbullimi peticionesh në Moskë, Kirill Savenkov, 48 vjeç, thotë se po e mbështet Nadezhdinin për shkak të qëndrimit të tij ndaj Ukrainës dhe negociatave të paqes.

Të pakënaqur me Putinin

Të tjerë thonë se donin një alternativë të vërtetë ndaj Putinit, i cili, sipas tyre, e ka çuar vendin në qorrsokak.

“Ekonomia po bie vërtet, njerëzit po varfërohen dhe çmimet po rriten”, thotë Anna, 21 vjeçe, nga Shën Petersburgu, e cila refuzoi të jepte emrin e saj të plotë, sepse kishte frikë për sigurinë e saj. Putin, sipas saj, nuk ka bërë “asgjë të mirë për vendin”.

Fushata e Nadezhdini mori hov më të madh pasi liderët e opozitës jashtë vendit, duke përfshirë ish-manjatin Mikhail Khodorkovsky dhe mbështetësit e politikanit të burgosur të opozitës Alexei Navalny, u kërkuan rusëve të mbështesin çdo kandidat që mund t’ia mohojë Putinit një pjesë të votave.

Aktivisti i opozitës në mërgim, Maxim Katz, ka thënë në kanalin e tij në YouTube se cilido qoftë rezultati, kandidatura e Nadezhdinit tregon se “ka një gjë që ne dimë tani: Bisedat për apatinë qytetare në Rusi janë shumë larg realitetit. Ajo që ne kemi nuk është apatia qytetare, por uri qytetare – një potencial i madh i fshehur”.

Disa analistë thonë se rritja e mbështetjes për Nadezhdinin ka befasuar edhe Kremlinin, ani pse zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, ka thënë të enjten se “ne nuk e shohim atë si rival”.

Analistët thonë se rezultati i zgjedhjeve është përfundim i paramenduar dhe se Putini do të qëndrojë në pushtet edhe për gjashtë vjet të tjerë, por disa janë të mendimit se është moment i rrezikshëm politik për Kremlinin, sepse i duhet të projektojë atmosferë legjitimiteti që votimi të shihet si garë e mirëfilltë.

Që Putini të sigurojë fitore bindëse, ka nevojë që mbështetësit e tij të dalin dhe kritikët e tij duhet të qëndrojnë në shtëpi pa asnjë “shkëndijë shprese”, thotë Ekaterina Schulmann, shkencëtare politike dhe studiuese jorezidente në Qendrën Carnegie Russia Eurasia në Berlin.

“Kjo është arsyeja pse Nadezhdini është problem i tillë”, thotë ajo në intervistë. “Ai siguron një fije shprese”.

Pak liri

Mbështetësit e Nadezhdinit të rreshtuar për nënshkrim në Moskë dhe Shën Petersburg thonë se kjo ua dha atyre mundësinë e rrallë për të qenë me njerëz me mendje të njëjtë që duan udhëheqës krejt ndryshe se Putini, 71-vjeçar, i cili ka qeverisur Rusinë për 24 vjet.

“E kuptova që këta janë njerëzit që duan të ndryshojnë qeverinë aktuale dhe unë dua të jem pjesë e kësaj”, thotë Margarita, studente 28-vjeçare, e cila gjithashtu refuzoi të jepte mbiemrin e saj nga frika se pushteti mund t’i hakmerrej.

Deri më tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë ka miratuar tre kandidatë të cilët u emëruan nga partitë e përfaqësuara në parlament që mbështesin kryesisht politikat e Kremlinit: Nikolai Kharitonov i Partisë Komuniste, Leonid Slutsky i Partisë Liberale Demokratike nacionaliste dhe Vladislav Davankov i Partisë se re Popullore. Kharitonov kandidoi kundër Putinit në vitin 2004, duke përfunduar i dyti, por me rezultat të thellë.

Në dhjetor, autoritetet ia ndaluan pjesëmarrjen në garë Yekatarina Duntsovas, ish-deputete rajonale që kishte bërë thirrje për paqe në Ukrainë. Komisioni përmendi gabime teknike në dokumentacionin e saj.

Duntsova ndoshta u ndalua, sepse autoritetet “nuk e njohin atë, dhe kështu në termat e tyre ajo është e paparashikueshme. Dhe mbi të gjitha nuk u pëlqejnë gjërat e paparashikueshme”, thotë Schulmann.

Kritiku i madh

Edhe pse ka pasur pretendime se Nadezhdini ka fshehurazi miratimin e Kremlinit për të kandiduar dhe shihet si lloj kandidati sa për sy e faqe, ai ende mund të shpallet i papërshtatshëm.

Ai është shfaqur si ekspert në televizionin rus dhe madje ka kritikuar konfliktin në Ukrainë gjatë emisionit në NTV të kontrolluar nga shteti në shtator 2022 – një nivel i rrallë shikueshmërie që nuk gëzohet nga politikanët e tjerë të opozitës si Navalny dhe Vladimir Kara-Murza, të dy të burgosur.

Në atë paraqitje, Nadezhdin kishte thënë se Putini ishte mashtruar nga shërbimet e inteligjencës, që me sa duket i thanë atij se rezistenca ukrainase do të ishte e dobët dhe joefektive.

Në intervistën e tij për AP-në, Nadezhdini thotë se beson se është lejuar të kandidojë, sepse është entitet i njohur dhe nuk e ka kritikuar në mënyrë specifike Putinin.

“Unë personalisht e njoh Putinin”, thotë ai, duke shtuar se e kishte takuar para se të bëhej president në vitin 2000. Sqaron se në vitet ‘90, ai ishte asistent i kryeministrit të atëhershëm, Sergey Kiriyenko, tani zëvendësshefi i parë i kabinetit të Putinit.

Schulmann thotë se ndërsa autoritetet mund të lejojnë Nadezhdinin të kandidojë, ai është “kumar i rrezikshëm”.

“Unë mendoj se do ta ndërpresin atë në fazën tjetër kur të sjellë ato nënshkrime”, thotë ajo, duke sugjeruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i shpallë disa prej tyre të pavlefshme dhe t’ia pamundësojë pjesëmarrjen në garë. Ajo sugjeron se autoritetet gjithashtu mund ta kërcënojnë atë dhe ekipin e tij me burg nëse më vonë do t’i nxiste mbështetësit e tij të protestonin.

Zgjedhjet janë të parat qëkur Putini aneksoi katër rajone të Ukrainës dhe të parat në të cilat votimi online do të përdoret në mbarë vendin. Kritikët sugjerojnë se të dyja janë mundësi për të manipuluar rezultatet në favor të Putinit – diçka që Kremlini e ka mohuar se do ta bëjë.

Pavarësisht se cili është rezultati aktual, disa analistë dhe kundërshtarë politikë sugjerojnë se pamja e atyre që rreshtohen në të ftohtë për Nadezhdinin zbulon më shumë për Rusinë sot sesa vetë vota.

Megjithëse Nadezhdini tregon se beson se ekipi i Putinit fillimisht nuk e perceptoi atë si rrezik, ai thotë se “administratorët e Kremlinit tani janë në pozitë të vështirë”. Nëse ai do të ishte në pozitën e tyre, Nadezhdin thotë se: “Tani do të mendoja: ‘Pse e lamë ta bënte këtë?’”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit