Gratë biznismene në Kosovë po përballen me sfida të vazhdueshme, të cilat po vështirësojnë zhvillimin e aktiviteteve të tyre dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së bizneseve.
Ato kërkojnë më shumë përkrahje nga qeveria. Sikur të kishte investime në pajisje dhe lehtësira për qasjen në treg, puna e tyre vlerësojnë që do të kishte më shumë rezultate.
Havushe Bunjaku, pronare e biznesit “99 lule”, e specializuar për grumbullim, kultivim dhe përpunim të bimëve mjekësore aromatike, ku janë të punësuara mbi 55 gra sezonale, në një intervistë për Ekonomia Online ka sfidat e shumta për biznesin të cilën udhëheq.
“Biznesi gjithmonë ballafaqohet me sfida, sidomos tek gratë. Sepse është një biznes i kushtueshëm, kërkon pajisje adekuate, kërkon edhe investim të vazhdueshëm si në lëndë të parë si në inpute bujqësore. Pastaj edhe në paketim, përpunim, fuqi punëtore, kështu që sfidat thuaja se po na përcjellin vit pas viti. Edhe këtë vit kemi pasur sfida më shumë si shkak i kushteve klimatike, një thatësirë shumë e madhe ka qenë një kohë të gjatë e pastaj, të reshurat e tepërta në fillim të pranverës e kështu. Por kemi shumë pasion edhe i kam njohuritë si biologe i përqendrova shumë biznesit”, tha ajo.
Si tjetër problem ka dalë edhe cështja e rrijtes së cmimeve, e krejt kjo për shkak edhe të energjisë dhe kostos së prodhimit.
“Ngritja e rrymës ndikon në rritjen e çmimit të produktit edhe në këtë krizë kur ta rritësh çmimin e produktit menjëherë edhe e vëren që bie edhe shitja. Ne nuk jemi shumë të varur nga rryma por ato bashkëpunëtoret e tona janë të varura nga rryma. Sepse ne i kemi panelet solare dhe gjithë sezonin punojmë pa shpenzim të energjisë. Tash nuk e di si do të jetë situata gjatë dimrit sepse edhe atëherë duhet që të punojmë, me i paketu, me mbajt ngrohtë ambientin, pastaj me i gri me pajisje me i klasifiku, këto krejt janë që punojnë me rrymë. Panelet diellore veç verës, dimrit nuk prodhojnë rrymë. Ndoshta kjo na prek neve por kjo i ka prekur më shumë kultivuese të cilat bimet kërkojnë ujitje edhe prej puseve kur të nxirret uji aty ka shumë shpenzime. Fitimi i ulët shpenzimet e mëdha është një frikë që do të zhgënjehen pastaj”, tha Bunjaku.
Ajo bëri thirrje që qeveria t’i kushtojë më shumë vëmendje grave sipërmarrëse dhe sektorit ku ato veprojnë.
“Nga qeveria kërkojmë shumë më shumë vëmendje, përveç përkrahjes sepse thashë është biznes i kushtueshëm dhe vazhdimisht kërkon përkrahje. Në anën tjetër edhe investimi te gratë përkrahet edhe këto kanalizimi i tregut më shumë me ju dhënë hapësirë prodhuesve vendor, sidomos tregtarë të mëdhenj dhe markete e mëdha. Me pas në një vend ku i ekspozojmë produktet tona sepse janë të shëndetshme janë të tokës tonë. Mungesa e lidhjes me tregun neve na shkakton telashe edhe me pasur përkrahje më shumë për gratë sepse përqindja është shumë e vogël e grave sidomos këto që janë rurale që posedojnë prona e biznese të regjistruara. Sigurisht që është i nevojshëm sepse nuk mund të punosh kur dëmtohesh vazhdimisht”, tha ajo.
Ndërkohë, sfida të ngjashme po hasin edhe bletaret në vend. Ardita Kastrati, e cila merret me bletari prej 15 vitesh dhe ka në pronësi 140 koshere.
“Sfida janë kushtet atmosferike që më së shumti ndikojnë tek bletët. Temperaturat e larta por edhe të ulëta nuk i duan, këtë vit kanë ndikuar shumë temperaturat e larta. Kemi subvencionim, kemi pasur përkrahje, por mundne me kanë edhe ma mirë. Normal që krejt na prekin këto gjëra (ngritja e çmimeve) sidomos edhe situata ku ne në Kosovë dihet se si janë kushtet edhe rrogat e gjëra e tjera por kogja vështirë i përballon. Në produktin tonë jo, por kavanozët e këto gjërat nuk ka pasur shumë lëvizje të çmimeve”, tha Kastrati.

