Presidenti amerikan, Donald Trump e ka refuzuar haptas një propozim të Bashkimit Evropian për marrëveshje të tarifave “zero për zero” për vetura dhe mallra industriale, duke u thënë gazetarëve në Zyrën Ovale se “nuk është i mirë mjaftueshëm”.
Duke folur së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahi, Trump sipas “The Guardian” tha:
“Ne kemi një deficit me Bashkimin Evropian prej 350 miliardë dollarësh dhe ai do të zhduket shpejt. Dhe një nga arsyet dhe një nga mënyrat që mund të zhduket lehtësisht dhe shpejt është se ata do të duhet të blejnë energjinë tonë nga ne sepse kanë nevojë për të. Ata do të duhet ta blejnë atë nga ne”.
Bashkimi Evropian së fundi ka bërë me dije se i kishte ofruar ShBA-së një marrëveshje tarifash “zero për zero” disa javë para se presidenti Trump të niste “luftën e tij të tregtisë”, por se “nuk do të priste përgjithmonë për ta mbrojtur vetën”, transmeton Nacionale.
Maros Sefcoviq, komisioneri i BE-së për tregti, bëri me dije se kishte propozuar zero tarifa në vetura dhe për një sërë mallrash industriale, siç janë produktet farmaceutike, goma dhe makineri, gjatë takimit të tij të parë me Sekretarin amerikan për Tregti, Howard Lutnick, më 19 shkurt.
Ai shtoi se BE qëndroi e hapur për bisedime, duke thënë: “Aktualisht jemi në fazat e hershme të diskutimit, sepse ShBA i sheh tarifat jo si një hap taktik, por si një masë korrektuese”.
Ai shtoi: “Derisa BE qëndron e hapur dhe preferon fuqishëm negociatat, nuk do të presim gjithmonë”.