36.9 C
New York
Tuesday, July 29, 2025

Buy now

S’është hera e parë, ish-komandantët: FSK disa herë ka qenë në veri me aksione humanitare

- Advertisement -

Një aksion humanitar i sotëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit në kërkim të 33-vjeçarit që dyshohet se është mbytur, nxiti një valë reagimesh, kryesisht nga pushteti.

Zyrtarë të ndryshëm të Vetëvendosjes me postime nëpër rrjete sociale, e harruan aspektin humanitar dhe rastin e mërgimtarit, duke u krenuar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka shkuar në veri të vendit.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që FSK-ja merr pjesë në aksione të tilla humanitare në veri të vendit. Dy nga ish-komandantët e FSK-së, Kadri Kastrati dhe Rrahman Rama, kanë konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Njësitet e saj, disa herë kanë qenë në pjesën veriore.

Rrahman Rama kishte qenë komandant i FSK-së prej marsit 2015 deri në vitin 2021. Ai kujton disa raste kur Forca e Sigurisë së Kosovës kishte shkuar në pjesën veriore.

“Është e vërtetë, mundet me kanë 2016, njëherë në Ujman, njëherë në lumin Ibër, edhe një herë kemi shkuar me deminim me KFOR-in amerikan”, ka thënë Rama për Nacionalen.

Ish-komandanti tjetër i FSK-së, Kadri Kastrati, deklaroi se në kohën kur ai kishte qenë komandant, dy herë FSK-ja kishte shkuar në pjesën veriore.

“Unë sa kam qenë komandant dy herë FSK-ja ka zbarkuar në veri të Kosovës për çështje humanitare. Marrëveshja mes KFOR-it dhe qeverisë së atëhershme nuk e ndalon FSK-në me shku në veri, por jep mundësi që nëse shkon, të shkojë në koordinim dhe bashkërendim me KFOR-in”, ka thënë Kastrati.

Kastrati më tutje ka kujtuar se në njërin rast, po në Ujman, i kishin gjetur dy serbë që kishin rënë me veturë.

“Dy herë kemi qenë, njëherë aksion humanitar me i kërku dy serbë që kanë ra në Ujman me veturë, dhe i kanë gjetur. Dhe kjo që po bëhet bujë, vetëm për poena politikë se zgjedhjet i kemi sivjet, ky është operacion i rëndomtë i FSK-së”, tha më tutje ai.

Me një postim në rrjete sociale, Vetëvendosje u krenua duke shkruar se kjo është hera e parë që FSK-ja si ushtri, shkon në veri. Ata kanë shpërndarë postimin e ministrit në detyrë, Ejup Maqedonci.

Kuvendi i Kosovës në vitin 2018 kishte miratuar ndryshimet në tri ligje, të cilat mundësonin transformimin e FSK-së në Ushtri.

Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar se një letër-zotim i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, nuk e lejon dërgimin e FSK-së në veri në asnjë rrethanë. Madje, Albin Kurti, këtë letër e kishte dërguar në Prokurori.

Marrëveshja mes Hashim Thaçit dhe ish-sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, theksonte se duhet koordinim dhe bashkërendim që Forca e Sigurisë së Kosovës të shkojë në veri.

“Vigjilenca dhe gatishmëria jonë për veriun është dëshmuar që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët tanë ndërkombëtarë, e ata trupat e KFOR-it. Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë s’është ndëshkuar, ajo i ka përsëritur krimet”, deklaronte Albin Kurti.

Deklarata të ngjashme, Kurti kishte dhënë edhe me kalimin e kohës.

“Skandali më i madh që na ka lënduar më së shumti në fakt ka ndodhur kur kam qenë kryeministër herën e parë në atë periudhën e shkurtër kur e morëm atë letrën që ish-kryeministri Thaçi në vitin 2013 ia pati dërguar ish-Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s ku i thoshte se zotohet se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë në veri të Kosovës dhe unë besoj se shumë probleme që i kemi sot janë pasojë e asaj. Nuk e kam kuptuar asnjëherë justifikimin, arsyetimin apo shfajësimin për të, por ajo ka qenë shoku i parë që e kam përjetuar si kryeministër… Ai është momenti kur ushtria jonë ka filluar të ndahet gjeografikisht, janë krijuar kufij të brendshëm dhe për mua është tejet e papranueshme dhe e rrezikshme për shkak se Policia nuk menaxhon kufij, Policia menaxhon fluks. Kufirin e menaxhon ushtria”, kishte thënë Kurti në emisionin “Rrjedha” në KTV.

Forca e Sigurisë së Kosovës mëngjesin e sotëm i është bashkuar Policisë e Njësive të tjera në kërkim të 33-vjeçarit që kërceu në Ujman, dhe nuk doli më mbi ujë.

Ministri në detyrë, Ejup Maqedonci, ka thënë se kjo është bërë në bashkërendim me KFOR-in.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”, ka shkruar ai. /Nacionale

Të ngjashme

Të fundit