Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer ka thënë Perëndimi po e shtyn qëllimisht raportin zyrtar lidhur me atë se çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë.
Ka thënë se Perëndimi po vazhdon politikën përkëdhelëse ndaj Serbisë. Sipas tij, Perëndimi e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur më 24 shtator dhe këtë gjë e ka ditur për muaj tashmë që Beogradi zyrtar është përgjegjës për trajnimin, ndihmën dhe planifikimin e aktit terrorist.
“Fakti që raporti zyrtar për 24 shtatorin është shtyrë, është për shkak të tyre. Po e shtyjnë qëllimisht duke shpresuar që me këtë të blejnë bashkëpunimin serb për t’i mbajtur përgjegjës njerëzit e përfshirë. Kjo gjë nuk po funksionon. Dhe çfarë duhet të ndodhë këtu nëse marrëdhëniet e mira fqinjësore do të mbretëronin, është që Serbia me vullnetin e saj do t’i arrestonte dhe transferonte në Kosovë këta njerëz. Dhe kjo gjë, jo për faktin që s’ka marrëveshje ekstradimi mes të dyja vendeve apo që nuk ka obligim ligjor, porse ka një obligim moral dhe Kosova duhet t’i ndjekë penalisht këta persona”, ka thënë ai.
Sipas tij, Perëndimi do të vazhdojë të kërkojë që Vuçiqi t’i mbajë përgjegjës këta persona në Serbi edhe pse ai nuk do ta bëjë këtë gjë.
Ka thënë se Radoiçiq është njëri shokët e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas Serwerit, Vuçiqi do të vazhdojë të kthehet kah lindja dhe të shpresojë se Brukseli dhe Uashingtoni do të sprapsen nga kërkesat e tyre.