Profesori amerikan, Daniel Serwer, i cili njeh rajonin dhe raportin e Kosovës me Serbinë, në një bisedë për Gazetën Express lidhur me hapjen e Urës së Ibrit, ka deklaruar se përkrahja e Kosovës nga NATO mund të jetë e rëndësishme, por thotë se e rëndësishme për Kosovën është edhe ushtrimi i sovranitetit.
Eksperti amerikan e pranon që hapja e Urës ka rrezik dhe thotë se Kurti e di një gjë të tillë dhe duhet ta ketë parasysh.
Institucionet e Republikës së Kosovës nuk po i ndalin veprimet drejt synimit për hapjen e Urës së Ibrit pavarësisht mos-përkrahjes së aleatëve për ta bërë një gjë të tillë në këtë kohë dhe paralajmërimeve nga KFOR-i. Ndonëse QUINT dhe BE pas konsultimeve me NATO-n kanë dalë me qëndrim të përbashkët kundër, Kurti ka çuar ministrat e tij në Mitrovicë për të bërë inspektimin teknik të Urës. Dikush sot ka vendosur madje edhe ngjyrë në pjesën jugore të Urës.
Por a duhet Qeveria e Kosovës të insistojë në hapjen e Urës së Ibrit edhe pse nuk e ka përkrahjen e aleatëve?Daniel Serwer, profesor në John Hopkins University, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se përkrahja e NATO-s është e rëndësishme por po ashtu edhe ushtrimi i sovranitetit.
“Mbështetja e NATO-s mund të jetë e rëndësishme, por po ashtu është edhe ushtrimi i autoritetit sovran”, ka thënë Serwer për Gazetën Express.
Sa i përket rrezikut për eskalim nëse do të vendoset për hapje të një anshme, Serwer ka thënë se Kurti e di që ka rrezik dhe se duhet ta marrë parasysh një gjë të tillë.
“Sigurisht që ka rrezik. Qeveria e Kurtit këtë e di dhe duhet ta ketë parasysh”, ka thënë Serwer për Gazetën Express.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 2 gusht, në një paraqitje para mediave, kishte treguar se QUINT s’mund të mbështesin
“Miremengjes. Me udhëzime nga kryeqytetet tona, përfaqësues nga Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe SHBA u takuan sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për ta informuar atë se qeveritë tona, në konsultim me NATO-n, nuk mund të mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të Urës së Ibrit në këtë kohë”, kishte deklaruar ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.