Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka deklaruar se nuk mund të bëjë më mirë se OSBE-ja, vlerësimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të zhvilluara dje në Serbi.
Por siç thotë ai, ato u zhvilluan në një “fushë lojë të pabarabartë”, që favorizonte presidentin aktual dhe shumicën parlamentare.
E pavarësisht zhvillimeve, Serwer vlerëson se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë e butë karshi Beogradit.
“Ky është zakoni i kahershëm me Beogradin, që ka virtytin e madh të zbatimit të pjesës më të madhe të acquis communautaire. Jo vetëm që fusha e tij e lojës elektorale është e pabarabartë, por Beogradi vazhdon të lavdërojë kriminelët e luftës dhe dështon të ndjekë penalisht shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë konfliktit tashmë më shumë se dy dekadash në Kosovë. Ajo nuk i ka ndjekur penalisht as vrasësit e vëllezërve amerikanë, Bytyqi, të vrarë në Serbi në vitin 1999. Jo vetëm që po shkelen të drejtat e njeriut në të kaluarën serbe, por vazhdon përdorimi i gjuhës së urrejtjes kundër kosovarëve”,theksoi Serwer, transmeton lajmi.net.
Për më tepër sipas tij, koalicion aktual i qeverisjes në Serbi ka qenë entuziast për atë që e quajnë “bota serbe”, e cila është pak më pak se Serbia e Madhe e Slobodan Millosheviqit.
“Ne e shohim në Ukrainë pasojat e ambicieve irredentiste të këtij lloji. Presidenti rus Putin, është gjithashtu i dhënë pas idesë së një bote ruse, që mohon sovranitetin dhe integriteti territorial të Ukrainës. Rezultati është lufta dhe krimet e luftës. Ideja e “botës serbe” nuk parathotë asgjë më të mirë.Është një rrezik i qartë dhe i pranishëm për Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën”, theksoi ai.
E sipas tij, megjithatë ka pak arsye për të dyshuar se presidenti serb, Vuçiq e ka mbështetjen e shumicës së elektoratit serb.
“Çështja është se çfarë do të bëjë ai me suksesin e tij elektoral. Ai mund të vazhdojë të inkurajojë fantazitë e botës serbe, ose mund të vendosë ta bëjë Serbinë një vend kandidat serioz për anëtarësim në BE. Ky i fundit kërkon guxim. Konkurrenca kryesore politike e Vuçiq-it, vjen nga nacionalizmi etnik dhe ultra-nacionalizmi, jo nga demokratët liberal. Nacionalistët nuk janë vetëm një kërcënim politik, por edhe fizik. Ata vranë kryeministrin Gjingjiq, nga frika se mos jepte Kosovën. Ata mund ta vrasin përsëri”, shtoi ai.