Dialogu teknik ishte shumë më produktiv sesa dialogu aktual politik, ndërsa gatishmëri për arritjen e normalizimit të raporteve nuk kanë shfaqur Prishtina e Beogradi, ndërsa presidenti më i mirë për Kosovën është Joe Biden se sa paraardhësi i tij, Donald Trump. Kështu u tha në diskutimin me temën: “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja në proces dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”, raporton Ekonomia Onlline.
Daniel Serwer, profesor në universitetin “Johns Hopkins”, ka thënë se për Ballkanin dhe Kosovën më mirë do të ishte që në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të rrinte presidenti aktual, Joe Biden, se që të rikthehet ish-presidenti Donald Trump.
Serwer ka thënë se Bideni ruan integritetin e shteteve, ndërsa Trumpi dallon.
“Gjëja më e mirë për zgjedhjet amerikane është se askush nuk i di rezultatet derisa të përfundojnë zgjedhjet.E dimë dallimin me Bidenit dhe Trumpit për Ballkanin. Bideni e ruan integritetin e shteteve. Trumpi dallon. Ka negociuar me Thaçin dhe Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Por jo vetëm për ndarjen e Kosovës. Po të ndahej Kosova, Bosnja do të ishte në rrezik, Mali i Zi poashtu, madje edhe Maqedonia. Unë mendoj që Bideni do të ishte shumë më i mirë sesa Trumpi sa i përket Ballkanit”, ka thënë Serwer.
Njohësi i çështjeve të Ballkanit nuk sheh gatishmëri për normalizim politik nga Kosova e Serbia. Sipas tij, dialogu teknik ka qenë shumë më produktiv sesa dialogu aktual politik.
“Që nga vitin 2013 ka pasur progres në zbatimin e marrëveshjes teknike, mirëpo nuk ka pasur pothuajse asnjë për sa i përket arritjes së synimit për normalizimin politik. Edhe progresi më i hershëm është kthyer prapa. Beogradi me zotimet e vitit 2013, komunitetet ne komunat me shumicë serbe kanë bërë bojkotin, Serbia bëri çfarëdo pune që të pengoj njohjen e Kosovës dhe të pengoj anëtarësimin në Këshill të Evropës. Prishtina nuk ka bërë asgjë për të implementuar zotimin e vet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Marrëveshjet janë për të dy palët. Lajçak është munduar që të ushtroj presion ndaj Prishtinës që të themeloj Asociacioni, por pa sukses. Marrëveshja parasheh edhe obligime për Beogradin, në vend se t’i përmbush ato, Serbia vendos që të përkeqësoj gjërat dhe më shumë të paraqes dhunë me kidnapimin e dy policëve, sulmin e paqeruajtësve të KFOR-it në Kosovë me organizmin e sulmeve terroriste”, ka thënë Serwer.
Serwer ka deklaruar se ka ardhur koha që Serbia ta tregojë përkushtimin për rend dhe ligj duke e transferuar Milan Radoiçiqin në Kosovë për t’u dënuar për sulmin në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar, ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku.
“Dialogu teknik ishte shumë më produktiv se sa dialogu aktual politik. Duke se nuk ka një gatishmëri për normalizim politik nga Beogradi. Nuk jam i bindur që Prishtina është e gatshme për normalizim politik. Nuk do të ndodh nën kushte aktuale politike. Tash është koha e duhur që Beogradi të tregoj përkushtim e vete ndaj rendit dhe ligjit duke e transferuar Radojiçiqin në Kosovë për tu gjykuar”, u shpreh ai.
deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka thënë se si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë bërë hapa të vegjël për të zbatuar marrëveshjet.
“Jo vetëm që kemi devijuar nga rruga sa i përket bërjes së politikës, tani jemi në një lloj konfrontimi me ndërkombëtarët”, ka thënë ajo.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh skeptik se Serbia do të ndërrojë qëndrimet.
“Nuk mendoj që Vuçiqi ka vullnetin dhe besimin në këtë proces dhe nuk mendoj se është i nxitur të shkoj para në këtë proces”, ka thënë Bushati