Ishte dje një deklaratë e Xhavit Halitit e cila nxiti shumë reagime. Ai tha se kanë qenë 5 zyrtarë që i kanë kërkuar Bill Klintonit të mos e njeh UÇK-në.
Më pas, në pyetjen e Dukagjinit Goranit, Baton Haxhiu përmendi 5 emra: “Kanë qenë Ibrahim Rugova, Pajazit Nushi, Bujar Bukushi, Veton Surroi, Fehmi Agani”, ka thënë Haxhiu.
Një reagim në mëngjes e pati Veton Surroi duke e cilësuar këtë deklaratë si krejt të pavërtetë.
“Krejtësisht të pavërteta! Në takim me presidentin Clinton, delegacioni i Kosovës nuk ka kërkuar mosnjohjen e UÇK-së. Këtë nuk e kanë bërë dr.Ibrahim Rugova, as dr.Fehmi Agani, as dr,Bujar Bukoshi e as unë. Dr.Pajazit Nushi, i përmendur si pjesëmarrës ka qenë në Prishtinë”, ka shkruar ai.
“Qëndrimi im edhe privat , edhe publik ka qenë nevoja e përfshirjes së UÇK në proces negociator. Disa herë kam deklaruar publikisht se pa pjesëmarrjen e UÇK-së në ekipin negociator nuk është e mundshme marrëveshja për Kosovën. Dr.Rugova, dr,Agani dhe dr.Bukoshi kanë zhvilluar përpjekje që të unifikohet përfaqësimi i Kosovës, me përfshirjen e UÇK-së brenda këtij përfaqësimi. Ai ka publikuar një dokument të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku është një deklaratë e Rugovës ku fliste për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi ai.
E ndaj deklaratës së Surroit, ka reaguar Lirim Mehmetaj. Ai ka publikuar një dokument të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Rugova fliste për UÇK-në. Aty ai kishte thënë se “aksionet e tilla po përdoren si pretekst nga Millosheviqi për të kryer krime”.
Postimi pa ndërhyrje:
S’e pata njet me u marrë me këtë punë, po pasi paska dalë prapë këshilltari i Kurtit, serbofili Veton Surroi, dhe paska rrejt publikisht, po e postoj këtu transkriptin e takimit në Uashington.
Takimi po zhvillohej me 2 qershor të vitit 1998.
Departamenti i Shtetit Amerikan transkriptin e atij takimi e ka de-klasifikuar me 31 tetor të vitit 2019.
Dokumenti i deklasifikuar mban kodin “C06722291” dhe është i deklasifikuar nën titullin “Kosova – takimi i sekretarit në detyrë Talbott me liderin shqiptar të Kosovës Rugova”.
“Rugova e përshkroi situatën në terren si ‘shumë të rrezikshme, dhe tha se disa ‘veprime parandaluese’ janë kritike. Ai luti SHBA-të që ‘të marrin rol udhëheqës në Kosovë, ta marrin Kosovën’, në mënyrë që të parandalojnë katastrofën. Në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës tha se ka shumë grupe të frustruarish në Kosovë që aksionet e tyre po përdoren si pretekst nga Millosheviç-i për të kryer masakra. ‘Jemi të vegjël dhe s’mund të ofrojmë më shumë politika’, vazhdoi. ‘Ju lutemi që të na mbështesni për pavarësi. Ky është vullneti im dhe vullneti i popullit’”, thuhet në dokument.