Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, pasi ky i fundit deklaroi se Kosova ka të drejtë që t’i heqë nga përdorimi targat që lëshohen nga autoritetet e Serbisë. Stanon e ka sulmuar edhe vartësi i Vuçiqit, Aleksander Vulin duke e quajtur atë frikacak e hipokrit.
“Pra ai thotë se në bazë të marrëveshjes së vitit 2011 dhe 2016, Prishtina ka të drejtë të heqë targat KM. Kjo nuk është e vërtetë”, ka theksuar Petkoviq për TV Pink.
Petkoviq thotë se duhet të kujtohet Jarinja e Bërnjaku, duke aluduar në bllokimin e rrugëve nga serbët lokalë shtatorin e kaluar.
“Njëra targë është neutral KS dhe tjetra është RKS. Në shtator 2020, Prishtina hoqi targat KS dhe për këtë patëm këto probleme. Ta kujtojmë Jarinjën e Bërnjankun. Çfarë duhet të zgjedhin njerëzit tanë tani. Krejt çka mbeten janë targat e shtetit të Kosovës. A mendoni se dikush ka folur për këtë? Jo”, ka thënë Petkoviq.
Ai e ka quajtur “veprim të njëanshëm” të kryeministrit Kurti vendimin për reciprocitet sa i përket targave dhe letërnjoftimeve.