“Jemi tejet të pakënaqur me reagimin e KFOR-it”, tha ministri serb i mbrojtjes, teksa shtoi se ata “është dashur të marrin kontrollin e atij lokacioni (Banjskës) dhe të ndalojnë konfliktin”.
“Kanë kapacitetin, kanë legalitetin, kanë legjitimitetin, dhe janë të instaluar si një mision që duhet të kontrollojë situatën e sigurisë”, ka thënë ai. Ministri i Mbrojtjes së Serbisë tha gjithashtu se “nuk mund të qëndrojmë të shurdhër dhe të verbër” ndaj asaj që ai e quajtim, “qëndrim pasiv” i KFOR-it.
“Si ka mundësi që KFOR-i nuk hyri në atë cilësi apo me kapacitet të mjaftueshëm dhe e ndaloi gjithë zhvillimin e asaj ngjarje? Pse EULEX-i nuk e mori juridiksionin dhe nuk kreu një hetim apo kontroll policor? Kush e lejoi të zgjasë me orë të tëra, që gjuetia e serbëve të zgjasë me orë të tëra?”, shtoi ai.
Vuçeviq vuri në pikëpyetje krejt atë që, sipas tij, “do të duhej të ishte qëllimi” i KFOR-it dhe EULEX-it. “Atëherë çfarë qenka qëllimi i tyre…të dëgjohen me Ushtrinë e Serbisë dhe të bëjnë pyetje se çfarë po ndodh në Zonën (kufitare) e Sigurisë?”, pyeti ai.
Pyetur nga mediumi se çfarë janë përgjigjet e KFOR-it kur u shtrohen këto “ankesa”, Vuçeviq shpreht se “pak a shumë përgjigjen asisoji që i shkon në favor Kurtit”.
“Nuk kanë përgjigje – kanë përgjigje boshe teknike; që Policia e Kosovës kanë të drejtë të reagojnë ndaj një sulmi terrorist. Pak a shumë asisoji që i shkon në favor Kurtit”.
Pyetur se çka pret nga komandanti në ardhje turk i KFOR-it, Vuçeviq thotë se “sinqerisht” Turqia është një promovuesit dhe mbështetësit më të mëdhenj të shtetit të Kosovës, por edhe armatosjes së FSK-së dhe shndërrimit të kësaj të fundes në ushtri të plotë.
“Turqia është një nga sponsorët kryesorë të armatosjes dhe pajisjes së Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe promotori apo sponsori i transformimit të FSK-së në atë që ata e shohin nesër si Ushtria e Kosovës, Ushtria e Re Shqiptare. Kur thonë ‘Kosova’ kjo është një histori thjesht shqiptare, të mos gënjejmë. Fakti që ata gjejnë një rom, një boshnjak dhe një kuazi-serb është e gjitha një komponent shqiptar, një histori shqiptare”, thotë ai.
“Ata po përpiqen të krijojnë një shtet të ri shqiptar, politika e Kurtit është të krijojë një Shqipëri të Madhe, politika e tij nuk është vetëm një Kosovë e pavarur, pasi siç duket edhe shumica e serbëve nuk mund ta njohin këtë. Politika e tij çon në bashkimin e të gjitha trevave shqiptare. Nuk e fsheh, kudo performon kështu. Njerëz, duhet të dëgjoni vetëm atë që thotë dhe çfarë bën. Gjithçka është shumë e qartë, nuk ka asgjë mistike apo të fshehur, gjithçka është transparente me të”, ka shtuar mes tjerash ai.
Vuçeviq bëri thirrje sërish që KFOR-i të merr “nën kontroll” veriun, teksa vazhdoi të hedh vrer ndaj (mos)reagimit të tyre të dielen gjatë sulmeve terroriste të udhëhequra nga Milan Radojçiq.